Një gjykatë në Manhattan ka dhënë miratimin për zhvillimet e hetimeve lidhur me akuzat për ngacmim seksual të Virginia Giuffre kundër Princit Andrew të Mbretërisë së Bashkuar.
Avokatët e princit ishin përpjekur që çështja të pushohej për shkak të një marrëveshjeje midis Giuffre dhe Jeffrey Epstein.
Mirëpo gjykatësi amerikan Lewis A. Kaplan vendosi të mërkurën se çështja civile e Giuffre kundër Andrew mund të vazhdojë në gjyq.
Giuffre pretendon se financieri i ndjerë Jeffrey Epstein i cili u dënua për pedofili dhe e dashura e tij e dënuar gjithashtu së fundmi Ghislaine Maxwell, e trafikuan paditësen te Duka i Jorkut për seks në tre raste të veçanta në kohën kur ajo ishte 17-vjeçe.
Në fillim të këtij muaji, ekipi ligjor i princit i bëri presion gjyqtarit Kaplan që ta pushonte çështjen, pasi doli se Epstein i kishte paguar Giuffre 500 mijë dollarë në një marrëveshje të vitit 2009, në të cilën ajo ra dakord të mos padiste askënd që kishte lidhje me pedofilin e dënuar, i cili mund të ishte një “i pandehur i mundshëm”.
Kaplan megjithatë, mbajti anën e avokatëve të Giuffre-së, të cilët argumentuan se marrëveshja ishte nënshkruar vetëm për përfitimin e Epstein, e jo atë të një “pale të tretë” siç është princi Andrew. Si i tillë, mocioni i princit për shkarkim u “mohua në të gjitha aspektet”.
Princi Andrew i mohon akuzat dhe ka këmbëngulur se nuk i kujtohet të jetë takuar ndonjëherë me Giuffre. Ai vijoi ta mohonte një gjë të tillë, edhe pasi doli një fotografi e tij dhe Giuffre-së së bashku. Kohët e fundit ai ka akuzuar Giuffre-në se kërkon një “pagesë” nga rasti.
Gjyqi tani kalon në atë që mund të jetë një fazë e gjatë zbulimi dhe depozitimi, nëse të dy palët nuk arrijnë në një zgjidhje. Gjatë kësaj faze, anëtarë të tjerë të familjes mbretërore britanike mund të thirren për të dëshmuar.