Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Trekëndëshi i Bermudës nuk do ta marrë dot peng përgjithmonë Shqipërinë, beteja mes të shkuarës dhe të ardhmes


Kreu i PD-së Lulzim Basha ka vijuar akuzat ndaj treshës Berisha-Rama-Meta, që i quan “Trekëndëshi i Bermudës”.

Në një intervistë për “Abc News”, Basha u shpreh se kjo treshë bashkë me kriminelet dhe oligarkët nuk do ta marrin më peng vendin.

”Të gjithë shqiptarët i druhen që Trekëndëshi i Bermudës do të përpij të ardhmen e tyre, do t’i largojë të gjithë fëmijët e tyre, do të shkatërrojë ekonominë, do t’ia dorëzojë atë oligarkëve. Ndërsa unë jam këtu për t’iu thënë që keni shpresë, keni besim. Trekëndëshi i Bermudës, oligarkët dhe kriminelët, nuk do të na marrin dot peng përgjithmonë. Boll e kanë marrë peng këtë vend, 30 vite tranzicion, 8 vite regjimi kriminal, oligarkik që kanë shkatërruar ekonominë e shqiptarëve, ka shkatërruar themelet e bashkëjetesës demokratike, por ora po troket dhe jo për shqiptarët, por për trekëndëshin e Bermudës.”- tha Basha.

Sipas tij është e qartë se beteja është midis të shkuarës dhe të ardhmes.

“Njësoj si Edi Rama, edhe Ilir Meta dhe çdokush tjetër e shikon këtë si një mundësi për t’i zgjatur jetën tranzicionit nga i cili përfitojnë aktorët e tranzicionit. Për ne është e qartë: Beteja është midis të shkuarës dhe të ardhmes. Demokratët kanë folur qartë në Kuvendin Kombëtar, kanë folur qartë në aktet dhe veprimet e tyre. Shqiptarët duan të ardhmen, demokratët kanë zgjedhur të ardhmen, kanë zgjedhur t’i prijnë betejës për të ardhmen.

Nuk ka për të qenë piknik, kemi përballë forca të errëta, forca kriminale, forca që sot zotërojnë financat dhe ekonominë e vendit, por një gjë është e sigurt: Historia na mëson që pakica mbetet pakicë. Dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve është forca jonë, është frymëzimi ynë, është motivi ynë.”- shprehet kryedemokrati.

Basha beson se shumica e dërrmuese e shqiptarëve duan ndryshim dhe se detyra e opozitës është ta bëjë të mundur atë.