Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: SHBA-të kanë dy rrugë ndaj meje për shpalljen non grata


Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në një intervistë për RTK 21 në Kosovë se SHBA kanë dy rrugë ndaj tij pas shpalljes non grata.

Një është t’i kërkojnë falje për shpalljen non grata dhe ai të tërheq padinë ose në të kundërt të publikojnë një provë të vetme që e lidhin atë me akuzat për korrupsion.

“SHBA janë vend i madh dhe vend i lirë. Ato kanë një meritë. Ata njohin gabimin. Ata korrigjojnë gabimet. Kjo është një nga faktorët që i mban ato institucione afër realitetit. Nuk ka asgjë të më shtyjë kundër SHBA. Por e konsideroj këtë gabim. Ka vetëm një rrugë. Të më kërkojnë ndjesë ose të paraqesin një fakt të vetëm të korrupsionit dhe pasurimit tim të paligjshëm. Sali Berisha në këtë rast do ishte i gatshëm të marrë çdo vendim kundër vetes së tij. SHBA janë vendi më i madh por nuk janë më të mëdhenj se e vërteta”, u shpreh Berisha.

Berisha shtoi se nëse SHBA i kërkon ndjesë do të tërhiqet nga padia. “Nëse vij në pushtet do shpall George Soros non grata. Unë vij në pushtet me vullnet të lirë të shqiptarëve”.

Berisha zbuloi për herë të parë pse vendosi të ndryshojë qëndrimin për kandidimin e tij për kryetar të PD duke e lidhur me mbështetjen që SHBA i dha Bashës si goditje ndaj pluralizmit.

“Unë kam deklaruar me datën 20 maj. Një ditë pas shpallje non grata. Unë deklarova se Sali Berisha heq dorë. Pastaj mendova pse ma bënë këtë. Çfarë bëra unë. Unë në 8 vite kam luftuar korrupsionin. Me mijëra statuse dhe me mijëra deklarata. Unë nuk kam vënë firmë për asgjë. Mendova se këtë më bënë që të hesht. Atëherë thashë ti do kthehesh Sali në mënyrë që t’u dalësh zot edhe më shumë këtyre çështjeve. Mendoj se mbështetja e ambasadës amerikane ndaj Lulzim Bashës është goditje që i jepet pluralizmit. Ky është një gabim i tmerrshëm”, deklaroi Berisha.