Vendosni fjalën kyçe....

Boris Johnson qëndroi për 25 minuta në festën me pije, kur vendi i tij ishte në karantinë


Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson u akuzua të hënën për shkelje të rregullave anti-Covid pasi u zbulua se kishte marrë pjesë në një festë me pije alkolike në kohën kur vendi i tij ishte i bllokuar për shkak të pandemisë.

Johnson pranon se ka marrë pjesë në eventin e pijeve në kopshtin e “Downing Street” më 20 maj të vitit 2020 për të falënderuar stafin, përpara se të kthehej në zyrën e tij 25 minuta më vonë.

Në një fjalim në Parlament, Johnson u kërkoi falje qytetarëve duke thënë se e di se sa miliona njerëz kanë vuajtur gjatë pandemisë dhe e kupton zemërimin që ndjejnë ndaj tij dhe qeverisë që ai drejton kur mendojnë se rregullat nuk po ndiqen siç duhet nga vetë njerëzit që i bëjnë ato.

Në atë kohë, Johnson thotë se besonte se “kjo ishte një ngjarje pune” siç shkruan BBC. Por tani ka kuptuar se ai duhet t’i kishte kthyer të gjithë brenda dhe duhet të kishte gjetur një mënyrë tjetër për të falënderuar stafin.

Ai thotë se puna e qeverisë së tij ka prodhuar “shpërndarjen më të shpejtë të vaksinës në Evropë” dhe “një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në G7”.