Fushata afatgjatë lobuese e Kievit për t’u bashkuar me NATO-n është e dënuar të dështojë sepse SHBA-ja tashmë ka vendosur të bllokojë anëtarësimin e saj, ka pohuar një ligjvënës ukrainas përpara negociatave midis Rusisë dhe bllokut ushtarak këtë javë.
Duke folur për kanalin televiziv Nash të hënën, Nestor Shufrich, një përfaqësues i zgjedhur nga partia më e madhe joqeveritare në parlamentin e vendit, Platforma Opozitare – Për Jetën, tha se ‘kishte një mundësi për të komunikuar me udhëheqjen e drejtpërdrejtë të dy vendeve evropiane dhe me njerëz të afërt me autoritetet e një shteti tjetër që është anëtar i G7’.
Sipas tij, ‘të gjithë thanë pa mëdyshje – të tre kombet janë vende të NATO-s – se amerikanët dhe rusët kanë rënë dakord për gjithçka.’ – pretendoi ai.
Deputeti hodhi gjithashtu dyshime mbi pretendimet e Sekretarit të Përgjithshëm të bllokut ushtarak, Jens Stoltenberg, i cili ka këmbëngulur se dera e pranimit mbetet e hapur, duke argumentuar se ‘ai e luan rolin bukur’. Sipas Shufrich, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e kupton se Kievi nuk do t’i bashkohet NATO-s gjatë kohës së tij në detyrë.
Ai vazhdoi, duke shtuar se një pikë e dytë e ngritur në kërkesat ruse në lidhje me shpërndarjen e raketave, veçanërisht të armatimit me koka bërthamore, në shtetet baltike, ishte marrë në konsideratë. “Më thanë që amerikanët i kuptojnë këto dy pika dhe nuk kundërshtojnë.” – pohoi deputeti.
Vërejtjet nga zyrtari ukrainas vijnë ndërsa NATO dhe Moska po përgatiten të takohen të mërkurën. Bisedimet paraprake me Uashingtonin rreth garancive të sigurisë u zhvilluan të dielën në Gjenevë përpara angazhimit më të madh SHBA-Rusi të së hënës.
Pas raundit të bisedimeve për sigurinë evropiane, Zëvendës Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Wendy Sherman u tha gazetarëve të hënën se pala amerikane është e hapur për të diskutuar vendosjen e raketave të saj në kontinent si dhe madhësinë dhe shtrirjen e stërvitjeve ushtarake të NATO-s në Evropë.
Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergej Ryabkov, ndërkohë, ripohoi qëndrimin e Moskës se është ‘absolutisht e detyrueshme të sigurohet që Ukraina të mos bëhet kurrë anëtare e NATO-s’.