Vendosni fjalën kyçe....

Ina Zhupa komenton analizën e The Economist: Konfirmon denoncimet e PD-së, Rama ka fshehur vdekjet nga Covid-19


Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, ka reaguar pas analizës së The Economist lidhur me numrin e lartë të viktimave në Shqipëri.

Sipas Zhupës, prestigjiozja britanike ka konfirmuar denoncimet e vazhdueshme të Partisë Demokratike lidhur me dështimin e qeverisë për të menaxhuar pandeminë e Covid-19.

“Fatkeqësisht Economist sot ka konfirmuar denoncimet e PD për dështimin total të qeveriseë Rama në menaxhimin e pandemisë: dhe konkretisht fshehjen e numrit të lartë të viktimave. Rama e bëri këtë për te fshehur njërën nga provat e dështimit të tij në përballjen me Covid 19. Rama është shkaktari i humbjes së këtyre jetëve, ndaj u përpoq t’i fshehë ato.

Në 19 nëntor 2020 kryetari i Partisë Demokratike Basha denoncoi publikisht fshehjen e numrit të viktimave, një akt i paprecedentë i Edi Rames që përpiqej kështu të fshihte keqmenaxhimin dhe abuzimet e Ministrisë së Shendetesise.

Spitalet e tejmbushura dhe me kapacitete gjysmake, mungesa e medikamenteve, korrupsioni në cdo segment të institucioneve të shëndetësisë, sollën dhe rritjen e frikshme të numrit të viktimave.

Publikimi i analizës nga The Economist, është një konfirmim i qartë se Edi Rama dhe qeveria e tij mbajnë përgjegjësi direkte për fshehjen e numrit të viktimave.

Kjo është fytyra e vërtetë e regjimit që keqmenaxhon fondet për spitale, vjedh sa te mundet në tenderat e shëndetësisë, paguan inceneratorët edhe gjatë pandemisë, tërësisht në shërbim të një grushti oligarkësh, duke braktisur njerëzit.

Në jo pak vende të botës, qeveritarët  kanë shkuar përpara drejtësisë për keqmenaxhimin e pandemisë, prandaj studimet ndërkombëtare mbi këtë dështim të tëmerrshëm të Edi Ramës nuk mund të qëndrojnë larg vëmendjes së drejtësisë shqiptare, e cila duhet të zbardhë me urgjencë të vërtetën.”- shkruan Zhupa.

 

Pas përpunimit të të dhënave nga 186 shtete të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, “The Economist” ka dalë në përfundimin se numri real i viktimave nga pandemia në të gjithë globin nuk është 5.5 milion sikurse është raportuar, por rreth 19.1 milion. Kjo shifër është gati katër herë më e lartë nga ajo që kanë raportuar zyrtarisht shtetet.

Te kjo shifër nuk janë vetëm ata që kanë vdekur drejtpërdrejt nga koronavirusi, por edhe pacientë me sëmundje të tjera, të cilët nuk kanë mundur të marrin mjekimin apo shërbimin e duhur për shkak të mbushjes së spitaleve apo arsyeve të tjera.

Për të arritur në këtë tregues, “The Economist” ka përdorur një model kompjuterik, i cili ka krahasuar vdekshmërinë në kushte normale të popullsisë në një rajon dhe kohë të caktuar me numrin e të vdekurve të deklaruar nga autoritetet pavarësisht shkakut të tyre.

Pjesa e dalë “tepër” në këtë raport është ajo që gazeta e konsideron “vdekje pa ndonjë shkak tjetër”, duke e lidhur kështu drejtpërdrejt me pandeminë.

Duke iu referuar metodologjisë së mësipërme, “The Economist” vlerëson se në Shqipëri numri real i të vdekurve për shkak të pandemisë varion mes 12 mijë dhe 15 mijë personave, ndërkohë që shifra zyrtare e deklaruar si të vdekur nga koronavirusi është 3 247.