Vendosni fjalën kyçe....

Pandemia ‘merr në qafë’ kompanitë që prodhojnë prezervativë


Kompania malajziane ‘Karex Berhad’, e cila prodhon më shumë se 5.5 miliardë prezervativë në vit, tha se do të përshtatet në biznesin e lulëzuar të prodhimit të dorezave mjekësore për të rritur të ardhurat pasi kërkesa për prodhimin e prezervativëve ka rënë.

Në një intervistë të fundit me Nikkei Asia, CEO i kompanisë, Goh Miah Kiat, ia atribuoi rënien e kërkesës për prezervativë bllokimeve të shkaktuara nga pandemia. Shitjet e firmës ranë me 40% në dy vitet e fundit. Industria e seksit, e cila normalisht është një treg i madh prezervativësh, është ndikuar gjithashtu nga kriza shëndetësore, tha ai, me punonjësit e seksit që përballen me kushte sfiduese.

Goh vuri në dukje mbylljet e hoteleve dhe moteleve, si disa nga shkaqet. Sipas shefit ekzekutiv të Karex, programet e shpërndarjes së prezervativëve të qeverisë në shkallë të gjerë u goditën gjithashtu nga pandemia e koronavirusit.

“Një pjesë e madhe e prezervativëve shpërndahet nga qeveritë në mbarë botën, të cilat e kanë reduktuar ndjeshëm shpërndarjen gjatë Covid-19.” – tha Goh. “Për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar, NHS [Shërbimi Kombëtar i Shëndetit] mbylli shumicën e klinikave jo thelbësore për shkak të Covid dhe klinikat e shëndetit seksual që shpërndanin prezervativë u mbyllën gjithashtu.” – shtoi ai.

Duke folur për planet e kompanisë për të kaluar në prodhimin e dorezave, e cila ka parë rritje të konsiderueshme gjatë pandemisë, Goh tha se prodhimi ishte vendosur të fillonte në Tajlandë nga mesi i këtij viti. Lëndët e para dhe teknologjitë e ngjashme përdoren si në prodhimin e prezervativëve ashtu edhe në prodhimin e dorezave, shpjegoi ai.