Sekretari për Çështjet Ligjore, Indrit Sefa ka deklaruar sot para gjykatës së Tiranës, se Prokuroria ka pranuar se nuk kishte prova për 11 personat e ndaluar më 8 janar, si përkrahës të Lulzim Bashës.
“Prokuroria në kërkesën drejtuar gjykatës, flet qartë. Këta persona kanë qenë pjesë e protestës. Shikoni veprën penale për të cilën hetohen, s’kanë lidhje me ata që janë brenda. Këta persona nuk kanë hyrë në brendësi të PD.
11 personat që kanë qenë të ndaluar dhe jo arrestuar, që kanë qenë pjesë e protestës, janë paraqitur vërtetimet që të tregojnë funksionet e tyre në PD. Për çdo person të mbrojtur nga ana jonë ka procedura përkatëse.
Personi që ka bërë kallëzimin në komisariat është i mirëpritur të nxjerrë emra. Prokuroria nuk ngriti një pretendim të tillë.
Prokuroria pranoi që për 11 të ndaluarit nuk kishte provë. Aty u tha se ka një raport policor se kanë gjuajtur me ujë. Qëndrimi i PD është; anëtarët dhe drejtuesit e PD ishin në një sulm të egër nga protestues që me mjete të dhunshme kërkonin të hynin në seli.”- tha Sefa në një prononcim për mediet pas vendimit të Gjykatës për të liruar 34 personat e arrestuar lidhur me protestën e 8 Janarit, 11 prej të cilëve ishin mbështetës të Bashës.
Gjatë fjalës së tij, Sefa theksoi se në selinë e PD-së “nuk u gjet asnjë send i kundraligjshëm” dhe se të vetmet prova materiale që u morën janë fikëset e zjarrit.