Vendosni fjalën kyçe....

U denoncua se dhunoi qytetarin, pezullohet efektivi i policisë në Pogradec


Policia e Shtetit ka reaguar ndaj denoncimit në media të një qytetari se ishte dhunuar nga një efektiv policie në qytetin e Pogradecit.

Policia ka pezulluar punonjësin me iniciale G.H ndërsa sqarohet se për këtë rast më herët prokuroria kishte pezulluar nisjen e hetimeve pas denoncimit të bërë nga qytetari.

Njoftimi i plotë:

Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, ku një qytetar pretendonte se ndaj tij, punonjësit e Komisariatit të Policisë Pogradec, kishin ushtruar dhunë fizike ju informojmë se:

Më datë 03.10.2021, në ambientet e Komisariatit, është shoqëruar nga punonjësit e patrullës së përgjithshme shtetasi E. M., banues në fshatin Trebinjë, Pogradec, pasi gjatë “Festës së Verës”, në Pogradec, në gjendje të dehur, ky shtetas kishte prishur qetësinë publike. Pasi është intervistuar nga ndihmës/specialisti i Policimit në Komunitet, shtetasi E.M., është lënë i lirë.

Më pas shtetasi E.M., ka bërë kallëzim pranë Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, në Korçë, se dy punonjësit e policisë të patrullës së përgjithshme në Pogradec, kishin ushtruar dhunë fizike ndaj tij. Pas kryerjes së veprimeve procedurale, materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, ku nga ana e prokurorit të çështjes, është marrë vendimi për mosfillimin e procedimit.

Pas transmetimit të emisionit mbrëmjen e sotme, ndaj punonjësit të policisë G.H., është marrë masa e pezullimit nga detyra.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për të nisur menjëherë hetimin disiplinor për shkelje të rëndë.

Policia e Shtetit falënderon mediat për bashkëpunimin dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të ligjit apo veprim arbitrar të punonjësve të policisë duke garantuar paanshmëri dhe reagim të menjëhershëm e profesional.