Vendosni fjalën kyçe....

Babai në Kanada humbet të drejtën për të parë fëmijën e tij, vetëm pse s’ka bërë vaksinën kundër Covid-19


Një baba kanadez i cili nuk është vaksinuar kundër Covid-it ka humbur përkohësisht të drejtën për të parë fëmijën e tij 12-vjeçar.

Siç shkruan BBC, një gjykatës vendosi se vizitat e tij nuk do të ishin në “interesin më të mirë të fëmijës”.

Kjo është hera e parë që një vendim gjykate privon një prind nga të drejtat e aksesit të fëmijës së tij për arsye imunizimi, tha një ekspert i ligjit familjar për gazetën Le Devoir.

Vendimi i gjykatësit, i marrë në fund të muajit të kaluar në provincën e Quebec të Kanadasë, pezullon të drejtat e babait të vizitojë fëmijën e tij deri në muajin shkurt, përveçse nëse ai vendos të vaksinohet.

Nëna, e cila kundërshtoi kërkesën fillestare të babait për të zgjatur kohën e vizitës, i tha gjykatës se së fundmi kishte zbuluar se ai ishte i pavaksinuar dhe se në rrjetet sociale shprehej kundër vaksinave.

Nëna jeton me partnerin e saj dhe dy fëmijë të tjerë që janë shumë të vegjël për t’u vaksinuar.

Gjykatësi tha se nuk ishte “në interesin më të mirë të fëmijës të kishte kontakt me babanë e tyre” për shkak të rritjes së fundit të rasteve të Covid në këtë provincë.

Quebec ka shënuar numrin më të madh të vdekjeve të lidhura me Covid-19 në Kanada. Në fillim të kësaj jave në këtë provincë u njoftua se do të vendosej një taksë për banorët që nuk janë të vaksinuar kundër Covid-19.

Megjithëse gati 90% e banorëve të Quebec janë të vaksinuar, ata përbëjnë gati një të tretën e të gjitha rasteve spitalore në vend.