Vendosni fjalën kyçe....

Berisha nuk e ndal aksionin me protestën e 8 Janarit: Do kemi takime të dy llojeve, ftesë të Dielën për shkodranët


Në daljen e sotme për mediet pas dëshmisë në Prokurori për protestën e 8 Janarit, ish-kryeministri Sali Berisha u bën thirrje demokratëve të Shkodrës që t’i bashkohen në një takim.

“Së pari një herë ftoj demokratët e Shkodrës ditën e Diel, ora 11 në Pallatin e Sportit, revolucioni nuk ndalet dhe ju garantoj se selia do t’i kthehet PD-së.

Statuti ka një nen, që sanksionon se selia e PD-së është ajo ndërtesë që sot Lul Brava e ka kthyer në një çerdhe krimi dhe bunker. Selia do u kthehet demokratëve, nuk ka forcë në botë që të marrë sot selinë e ta shndërrojë në kulla, siç e patë ju. Ka mbetur vetëm t’i vëmë emrin George Soros atij parku.”- tha Berisha.

Më pas ai shtoi se aksioni politik pas protestës së 8 Janarit do të vijojë me takime të dy llojeve, takime me qytetarë dhe tryeza të rrumbullakëta.

“Foltorja u mbyll me Kuvendin, tani do ketë takime të dy llojeve. Takime të fuqishme me qytetarët, në funksion të një strategjie për largimin e narkoshtetit dhe përgatitjen e protestave të fuqishme. Smund të pajtohet ky popull me kufoma politike që u vjen era në gjithë Europën. S’mund të pranojnë këtë lidhje të krimit me qeverinë dhe opozitën.

Do ketë tryeza të rrumbullakëta, ku do elaborohen mendime të ndryshme, për fusha të ndryshme. Veprimtari multidimensionale. Pa asnjë lloj dyshimi selia do i rikthehet Partisë Demokratike.”- u shpreh Berisha.