Vendosni fjalën kyçe....

Borrell insiston që referendumi serb të zhvillohet në Kosovë, Kurti shprehet kundër


Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell insiston për mbledhjen e votave të serbëve që jetojnë në Kosovë për referendumin që mbahet të dielën më 16 janar që zhvillohet në Serbi për ndryshimet kushtetuese.

Ai tha se edhe në të kaluarën, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka lehtësuar grumbullimin e votave të qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.

Dje kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç lidhur me grumbullimin e votave në Kosovë për referendumin kushtetues që mbahet të dielën në Serbi. Grumbullimi i votave në të kaluarën është bërë me lehtësimin e OSBE-së. Qytetarët duhet të jenë në gjendje që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit”, tha Borrell përmes një postimi në Tëitter.

Por nga ana tjetër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është dakord për qasjen dhe insistimin e Borrell duke thënë se votimi në referendumin e një shteti tjetër, në një territor sovran, “nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”.

Gjatë një bisede me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell unë shpreha qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Referendumi i një shteti tjetër në një territor sovran nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë shtet demokratik”, shkroi Kurti në Tëitter pas një bisede me Borrellin më 12 janar.