Vendosni fjalën kyçe....

Kongresmeni republikan krahason pasaportat e vaksinimit me Gjermaninë naziste


Kongresmeni republikan Warren Davidson (Ohio) kritikoi pasaportet e vaksinimit Covid me një krahasim të Gjermanisë naziste, ndërsa veprimi i tij u kritikua masivisht, duke përfshirë Muzeun Përkujtimor të Aushvicit.

Postimi i Davidson në Twitter ishte si përgjigje ndaj një mesazhi nga kryebashkiakja e Washington DC Muriel Bowser, e cila u kujtoi banorëve të kryeqytetit amerikan se tani e tutje do kërkoheshin prova të vaksinimit kundër Covid për njerëzit 12 vjeç e lart dhe pasaportë vaksinimi me foto për ata 18 vjeç e lart, duke filluar nga e shtuna. Maskimi në publik është gjithashtu i detyrueshëm.

Postimi i Bowser mori shumë kritika nga ligjvënësit, por përgjigja për t’u dalluar më së shumti mund të ketë qenë ajo e Davidson, i cili shkroi, “Kjo është bërë edhe më parë”, duke shtuar një foto të një karte identifikimi të përdorur në Gjermaninë naziste.

Karta dokumentonte origjinën e mbajtësit të saj dhe ishte pjesë e politikës segregacioniste naziste që synonte kryesisht hebrenjtë.

“Le të kujtojmë se nazistët dehumanizuan popullin hebre përpara se t’i ndanin, i ndanë para se t’i burgosnin, i burgosën para se t’i skllavëronin dhe i skllavëruan para se t’i masakronin.” – shkroi Davidson në një postim në Twitter.

Muzeu Përkujtimor i Aushvicit akuzoi Davidson për ‘shfrytëzim të tragjedisë’ të të gjithë atyre që vuajtën nën Gjermaninë naziste dhe e cilësoi postimin në Twitter si një ‘simptomë të trishtuar të prishjes morale dhe intelektuale’.

Kufizimet e pandemisë dhe mandatet e kontestuara të vaksinave kanë bërë që disa republikanë të përdorin Gjermaninë naziste në argumentet e tyre kundër masave të qeverisë në SHBA.