Vendosni fjalën kyçe....

MI5 paralajmëron: Agjentja kineze ka depërtuar në Parlamentin Britanik


 

Shërbimi britanik i Sigurisë MI5 ka bërë një paralajmërim të rrallë për deputetët, thuhet thënë se një agjent kinez është infiltruar në Parlament për të ndërhyrë në politikën e Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas alarmit të MI5, Christine Ching Kui Lee “krijoi lidhje” për Partinë Komuniste Kineze me deputetë aktualë dhe aspirantë.

Më pas ajo u dha donacione politikanëve, me financime që vinin nga shtetas të huaj në Kinë dhe Hong Kong.

Ky zhvillim vjen pas një hetimi “të rëndësishëm dhe afatgjatë” nga MI5, sipas BBC-së.

Një nga deputetët e financuar nga zonja Lee ishte edhe laburisti Barry Gardiner, i cili mori mbi 420 mijë paund prej saj në pesë vjet.

Por Gardiner tha se ai gjithmonë e kishte vënë në dijeni MI5 për donacionet.

Sekretarja e Brendshme Priti Patel tha se ishte “thellësisht shqetësuese” që dikush “i cili është përfshirë me vetëdije në aktivitete të ndërhyrjes politike në emër të Partisë Komuniste Kineze ka vënë në shënjestër parlamentarët”.

Por ajo shtoi se Mbretëria e Bashkuar ka masa “për të identifikuar ndërhyrjen e huaj”.

Shërbimi i sigurisë tha se kushdo i kontaktuar nga zonja Lee duhet të jetë “i ndërgjegjshëm për përkatësinë e saj” dhe “përgjegjësinë e saj për të çuar përpara axhendën e Partisë Komuniste Kineze”.

Deputeti konservator dhe ish-udhëheqësi i partisë, Sir Iain Duncan Smith, ngriti alarmin në Parlament, duke konfirmuar se u ishte dërguar me email deputetëve nga Kryetari.

Ai tha se kjo ishte “një çështje shqetësimi serioz” dhe bëri thirrje që zonja Lee të deportohej.