Vendosni fjalën kyçe....

Të dënuarit me vdekje në SHBA bëjnë kërksesën e veçantë, duan të ekzekutohen me pushkatim e jo injeksion


Dy të dënuar me vdekje në shtetin amerikan të Oklahomas i kanë bërë kërkesë një gjyqtari që të lejojë një skuadër pushkatimi si një mundësi tjetër nga ajo e injeksioneve vdekjeprurës, duke argumentuar se do të ishte më e shpejtë dhe do të kishte më pak hapësirë ​​për gabime sesa mënyra e tanishme.

Donald Anthony Grant, i cili vrau dy persona gjatë një grabitjeje në vitin 2001, dhe Gilbert Ray Postelle, i cili vrau katër persona në vitin 2005 ndërsa ishte nën ndikimin e metamfetaminës, i kanë bërë thirrje gjykatësit të qarkut të SHBA, Stephen Friot, që të shtyjë ekzekutimet e tyre derisa gjyqi të përcaktojë mënyrën e ekzekutimit. Injeksioni është një formë kushtetuese e vrasjes së të dënuarve me vdekje.

Sipas AP, një gjyq për këtë çështje është caktuar të zhvillohet më 28 shkurt. Megjithatë, Grant dhe Postelle do të ekzekutohen javë më parë, përkatësisht më 27 janar dhe 17 shkurt.

Të dy burrave iu mohua falja vitin e kaluar.

Avokati Jim Stronski i tha gjykatësit se ndërsa një skuadër pushkatimi ‘mund të jetë e tmerrshme për t’u parë, ne të gjithë biem dakord se do të jetë më e shpejtë’.

Ekspertët e përfshirë në apel kanë pohuar se vdekja nga skuadra e pushkatimit do të ishte ose plotësisht ose pothuajse pa dhimbje dhe do të kishte më pak hapësirë ​​për gabime sesa injeksioni vdekjeprurës, i cili ka çuar në disa raste të ekzekutimeve torturuese.