Dy orë e gjysmë ka zgjatur marrja në pyetje e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhit në Prokurorinë e Tiranës, në lidhje me protestën 8 janarit.
Në një deklaratë për mediet, Bardhi është shprehur se ka dhënë përgjigje për çdo gjë që e ka pyetur Prokuroria.
“Ka vijuar bashkëpunimi jonë me prokurorinë, që nga momenti i parë. Sot jam përgjigjur dhe kam dhënë përgjigje për çdo çështje të kërkuar nga prokuroria, duke nisur me momentin kur protestuesit mësyjnë PD, kontaktet që kam pasur me policinë dhe cfarë ka ndodhur në katin e dytë të selisë së PD. Kam kërkuar dhe vijoj të kërkoj zbardhjen e plotë të cështjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve.
Një grusht njerëzish me në krye Sali Berishën sulmuan selinë e tyre. Autorët as nuk fshihen, as nuk skuqen, as nuk zverdhen. Sali Berisha ka marrë përgjegjësinë e një akti të dhunshëm ndaj PD. Pres nga prokuroria pa asnjë hezitim të vendosë para përgjegjësisë penale autorët e atij krimi të paprecedentë.”– tha Bardhi jashtë prokurorisë, pas marrjes në pyetje.