Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Policinë e telefonova 7 herë, nuk pati sulm nga brenda por vetëmbrojtje  


Sekretari i PD-së Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat pas përfundimit të dëshmisë së tij në Prokurorinë e Tiranës është shprehur se e ka telefonuar më shumë se 7 herë Policinë e Shtetit për të kërkuar ndihmë në protestën e 8 Janarit. Ai ka theksuar se nuk ka patur asnjë sulm nga brenda selisë, por vetëm akte vetëmbrojtëse.

“Kam informuar edhe sot zyrtarisht prokurorinë e Tiranës që Policia e Shtetit në numrin e kontaktit të vendosur zyrtarisht në dispozicion nga policia është njoftuar në orën  12:27 minuta. Ka patur një komunikim të vijueshëm.

Kam telefonuar më shumë se 7 herë zyrtarët më të lartë të Policisë së Shtetit dhe ndërhyrja e tyre ka qenë me rreth 40 minuta vonesë nga momenti i njoftimit nga Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike.

Po kam dhënë shpjegime të plota mbi çdo ç’është për të cilën prokuroria ka patur pyetje përfshirë edhe lëndën që ju pyetët dhe kam rikonfirmuar atë që besoj se tashmë është e njohur publikisht se e vetmja lëndë e gjendur në mënyrë rrethanore në selinë qendrore të Partisë Demokratike kanë qenë fikëset e zjarrit.

Ka patur një listë të cilën policia dhe prokuroria e ka hartuar vetë ditën e ngjarjes. Siç ju jeni në dijeni, ditën e ngjarjes policia dhe prokuroria kanë ardhur në selinë qendrore të Partisë Demokratike dhe çdo person që ka qenë brenda selisë i është nënshtruar një procesi të plotë regjistrimi dhe më pas një kontrolli fizik. Listat ndodhen në dosjen që disponon prokuroria.  Kam dhënë deklarime për çdo çështje për të cilën unë jam pyetur nga organi i prokurorisë. Nuk ka patur asnjë sulm nga asnjë person nga brenda selisë. Sigurisht ka patur akte vetëmbrojtjeje për të ndaluar turmën dhe protestuesit e dhunshëm të futen në ambientet ku po zhvilloheshe mbledhje, në katin e dytë në selinë qendrore të Partisë Demokratike. Për këtë episode kam dhënë sigurisht edhe shpjegimet e mia në prokurori.”- tha Bardhi.