Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe 36 të tjerë u plagosën në një aksident me tren mbrëmjen e së Enjtes në Indi.
Siç shkruan CNN, një tren pasagjerësh doli nga shinat në shtetin e Bengalit Perëndimor të Indisë të enjten vonë.
Zëdhënësi i Hekurudhave Indiane Rajesh Bajpai tha se katër nga 12 vagonët në trenin ekspres ndërshtetëror dolën nga binarët në distriktin Jalpaiguri të Bengalit.
“Duket sikur nuk ka më njerëz të bllokuar në vagona.”- tha një tjetër zëdhënëse e hekurudhave, Gurmeet Kaur. Punëtorët po rivendosnin shinat për të lejuar kalimin e trenave të tjerë.
Vlerësimet fillestare sugjerojnë se kishte një çarje në shina. Kryeministrja e Bengalit Perëndimor Mamata Banerjee tha se ajo ishte “thellësisht e shqetësuar pasi kishte dëgjuar për aksidentin tragjik”.
“Të lënduarit do të marrin kujdes mjekësor, sa më shpejt që të jetë e mundur.”– shkroi ajo në Twitter.
Kryeministri indian Narendra Modi tha gjithashtu se “mendimet e tij janë me familjet e viktimave” dhe u uroi të plagosurve shërim të shpejtë.
Rrjeti i gjerë hekurudhor i Indisë vuan nga plakja e infrastrukturës dhe mirëmbajtja e dobët, faktorë që shpesh janë bërë përgjegjës për aksidente. Në vitin 2020, gati 12 mijë njerëz u vranë në më shumë se 13 mijë aksidente me tren në të gjithë vendin.