Vendosni fjalën kyçe....

Erion Braçe thërret qeverinë në Interpelancë për rritjen e çmimeve


Në një kohë kur Partia Demokratike është e përqendruar në debatet e brendshme, deputeti i PArtisë Socialiste Erion Braçe duket se ka zgjedhur që të bëjë opozitarin në Kuvend.

Pas kritikave të vazhdueshme që ka bërë ndaj qeverisë për rritjen e çmimeve, Braçe ka vendosur që të kërkojë një interpelancë me qeverinë pikërisht për këtë.

Sipas tij raporti midis çmimit të produkteve bujqësore sot dhe produktit të fermerit është i padrejtë dhe i pabalancuar.

“Për bujqit! Për punën! Për çmimet! Interpelanca në kuvend me qeverinë! Çmimet e ushqimeve, perimeve, frutave të freskëta janë rritur, por jo fermeri.

Ndërkohë, çmimet e lëndëve të para në bujqësi janë trefishuar! Kostot e bujkut janë rritur, çmimet e prodhimeve të tij jo!

Raporti mes çmimit të inputeve dhe çmimit të produktit të bujkut është tmerrësisht i padrejtë. 1 kg ure kushton 110 lekë, por 1 kg grurë kushton 30 lekë; 1 kg dap kushton 110 lekë, por 1 kg misër kushton deri 38 lekë; 1 kg nitrat kushton 90 lekë, por 1 kg domate (më e mira) kushton 50 lekë! Çmimet e drejta të lëndëve të para, por edhe produkteve të bujkut, janë detyrë e qeverisë.”- shkruan Braçe. 

Ky është një ndër rastet e rralla kur një deputet i maxhorancës bën thirrje për Interpelancë me qeverinë.