Gjykata Supreme e SHBA-së ka pezulluar zbatimin e kërkesës së administratës Biden për vaksinën e detyrueshme Covid-19 për bizneset me 100 ose më shumë punonjës, të vendosur si rregull nga Administrata e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (OSHA).
Vendimi 6 me 3 u shpall të enjten, me gjyqtarët me prirje liberale Breyer, Kagan dhe Sotomayor që kundërshtuan.
I shpallur nga Presidenti Joe Biden në shtator, por ende pa u finalizuar deri dy muaj më vonë, urdhri do t’u kërkonte bizneseve të siguroheshin që punonjësit e tyre të vaksinoheshin ose të testoheshin çdo javë me shpenzimet e tyre. Ai zbatohej për rreth 84 milionë punëtorë amerikanë.
“OSHA nuk ka vendosur kurrë më parë një urdhër të tillë. As Kongresi.” – tha gjykata në opinionin prej 30 faqesh, duke pranuar pretendimin nga paditësit se urdhri ka tejkaluar autoritetin ligjor të agjencisë dhe ishte i paligjshëm.
OSHA ka autoritet ligjor për të rregulluar rreziqet në vendin e punës, por jo ‘rreziqet e jetës së përditshme, thjesht sepse shumica e amerikanëve kanë punë dhe përballen me të njëjtat rreziqe ndërsa janë në orarin e punës’, pasi një gjë e tillë do të zgjeronte ndjeshëm autoritetin e saj pa autorizim të qartë nga Kongresi tha opinioni i shumicës.
Në një rast të veçantë, por të lidhur, gjykata lejoi Shtëpinë e Bardhë të urdhëronte vaksinën për punonjësit e institucioneve të kujdesit shëndetësor, të cilat gjithashtu ishin kundërshtuar. Ky ishte një vendim 5-4, me gjyqtarët Roberts dhe Kavanaugh në anën e kolegëve të tyre liberalë dhe gjyqtarët Alito, Barrett, Thomas dhe Gorsuch që kundërshtuan.