Vendosni fjalën kyçe....

Helikopterë, dronë dhe 100 persona vihen në kërkim të qenit të zhdukur në Australi


Një operacion masiv kërkimi që përfshin oficerë dhe vullnetarë është duke u zhvilluar jashtë qytetit australian të Brisbane, pasi një qen policie humbi ndërsa bënte punën e tij në fillim të kësaj jave.

Qeni trevjeçar, u nda nga kujdestari i tij ndërsa ndiqte një hajdut makinash në zonën e Ipswich, rreth 40 kilometra në perëndim të rrethit qendror të biznesit të Brisbane të martën.

I dyshuari kishte braktisur veturën e vjedhur dhe kishte tentuar të arratisej përmes shkurreve. Qeni e ndoqi atë dhe nuk është parë që atëherë.

Policia e Queensland ka bërë përpjekje për të gjetur qenin, të cilin mediat lokale e përshkruan si “të dashur”. Helikopterë, dronë dhe rreth njëqind njerëz janë vënë në kërkim të qenit të zhdukur mes shkurresh gjatë katër ditëve të fundit.

Qeni i quajtur Quizz ishte “i pazëvendësueshëm” tha kujdestari i qenit, polici Dan McGreevy. Ai tha do të ishte “përjetësisht mirënjohës” për këdo që përpiqej të ndihmonte në gjetjen e mikut të tij.

Policia kishte ofruar shpërblim për çdo informacion në lidhje me qenin, por deri më tani kërkimet kanë qenë të kota, shkruan RT.

Quizz mund të jetë “rrëmbyer” sipas Michael Thiesfield, inspektor i policisë. “Ka të ngjarë që një anëtar i publikut ta ketë marrë atë… dhe po e strehon qenin aktualisht.”- tha ai, duke shtuar se gjëra të tilla kishin ndodhur edhe më parë. “Ne kurrë nuk do të dorëzohemi.”- këmbënguli Thiesfield.