Kina ka ndërtuar një hënë artificiale në Tokë që simulon kushtet e gravitetit të ulët, e para e këtij lloji. Objekti pritet të luajë një rol kyç në misionet e ardhshme hënore të Kinës.
Shkencëtari Li Ruilin, nga Universiteti i Minierave dhe Teknologjisë në Kinë, tha se projekti i hënës artificiale në qytetin lindor Xuzhou pritet të nisë zyrtarisht në muajt e ardhshëm.
Li e përshkroi programin si ‘i pari i këtij lloji në botë’ dhe tha se e çon simulimin hënor në një nivel krejtësisht të ri, pasi mund të bëjë që graviteti ‘të zhduket’ dhe mund ‘të zgjasë aq sa duhet’.
Objekti përbëhet nga një dhomë vakumi e cila strehon një mini ‘hënë’ me diametër 60 cm. Peizazhi i ngjashëm me hënën përbëhet nga shkëmbinj dhe pluhur që janë po aq të lehta sa ato që gjenden në Hënë.
Peizazhi mbështetet nga një fushë magnetike, si Hëna, ku graviteti është afërsisht një e gjashta e fuqisë së gravitetit në Tokë. Aty ku fusha është mjaft e fortë, disa objekte të lehta, të tilla si një bretkosë ose gështenjë, mund të fluturojnë.
Li tha se projekti ka të ngjarë të luajë një rol të rëndësishëm në përgatitjen për operacionet hënore kineze, duke i lejuar shkencëtarët të testojnë pajisjet dhe madje të parandalojnë llogaritjet e gabuara që mund të jenë të kushtueshme.
Shkencëtari vuri në dukje se ajo mund të përdoret gjithashtu për të testuar nëse printimi 3D funksionon në Hënë ose nëse vendbanimet hënore do të jenë në gjendje të mbijetojnë.
Li tha se nevojiteshin një sërë risish teknike për të ndërtuar objektin, duke vënë në dukje se forcat magnetike të nevojshme për të krijuar atmosferën janë aq të forta sa mund të copëtojnë përbërës si telat superpërçues. Ai shtoi se objekti, i cili u frymëzua nga eksperimentet e Andre Geim për të ngritur lart një bretkosë me një magnet, do të ishte i hapur për studiues nga e gjithë bota.