Një tjetër video është publikuar sot nga Partia Demokratike lidhur me protestën e 8 Janarit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Këtë radhë paraqiten lajmet e mediave ndërkombëtare për protestën. Zëdhënësja e PD-së dhe deputetja Ina Zhupa shprehet se jo vetëm shqiptarët por e gjithë bota e mori vesh se si Berisha pas shpalljes “non grata” kërkoi të marrë me dhunë partinë.
“8 janari ishte një ditë e zymtë për çdo shqiptar kudo ku jeton, brenda apo jashtë vendi. Imazhet e dhunës dhe thirrjet për derdhje gjaku demokratësh pushtuan mediat kryesore. Jo vetëm shqiptarët por e gjithë bota e mori vesh se si Sali Berisha pas shpalljes non grata kërkoi të marrë me dhunë PD.”- shkruan Zhupa krahas videos.
Kujtojmë se në këto momente Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi po jep dëshminë e tij në Prokurori lidhur me situatën brenda selisë në protestën e 8 Janarit. Sot pritet të japë dëshminë e tij edhe kryedemokrati Lulzim Basha.