Vendosni fjalën kyçe....

Lulzim Basha mbërrin në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar për “8 Janarin”


Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë deklarimet e tij në lidhje me atë që ndodhi në protestë e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha më 8 Janar.

Kujtojmë se më parë në prokurori ka qenë dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi.

Basha në fakt ishte thirrur që në orën 12:00 në prokurori, por ka shkuar në orën 13:44 minuta. Në atë kohë, Bardhi është larguar nga organi i akuzës.

Dy orë e gjysmë ka zgjatur marrja në pyetje e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, i cili në një deklaratë për mediet është shprehur se ka dhënë përgjigje për çdo gjë që e ka pyetur Prokuroria.

 “Ka vijuar bashkëpunimi jonë me prokurorinë, që nga momenti i parë. Sot jam përgjigjur dhe kam dhënë përgjigje për çdo çështje të kërkuar nga prokuroria, duke nisur me momentin kur protestuesit mësyjnë PD, kontaktet që kam pasur me policinë dhe cfarë ka ndodhur në katin e dytë të selisë së PD. Kam kërkuar dhe vijoj të kërkoj zbardhjen e plotë të cështjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve.

Një grusht njerëzish me në krye Sali Berishën sulmuan selinë e tyre. Autorët as nuk fshihen, as nuk skuqen, as nuk zverdhen. Sali Berisha ka marrë përgjegjësinë e një akti të dhunshëm ndaj PD. Pres nga prokuroria pa asnjë hezitim të vendosë para përgjegjësisë penale autorët e atij krimi të paprecedentë.”- tha Bardhi jashtë prokurorisë, pas marrjes në pyetje.

Dëshmia e Bashës dhe Bardhit jepet vetëm një ditë pas ish-kryeministrit Sali Berisha. Ditën e djeshme ky i fundit qëndroi gjithashtu gati 3 orë në Prokurori ku dha dëshminë e tij mbi atë çfarë ka ndodhur në protestë.

Në një dalje për mediet, Berisha bëri akuza të forta ndaj Bashës duke thënë se kishte qenë ai që e kishte nisur dhunën dhe jo protestuesit. Po ashtu ai e akuzoi Bashën se kishte nxjerrë armët nga selia përmes makinës së tij dhe se po mbrohej nga një “tufë vrasësish dhe fondamentalistësh” në një kohë kur ishte i rrethuar nga Garda.