Vendosni fjalën kyçe....

Referendumi serb, Osmani, Kurti e Konjufca thirrje ndërkombëtarëve: Zbatoni të njëjtat standarde si me vendet e tjera


Krerët e institucioneve të Kosovës kanë dalë me një deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Francë, Gjermani, Itali, Britani SHBA) dhe përfaqësuesin e Bashkimit Evropian.

Presidentja Osmani, kryeministri Kurti e kreu i Kuvendit Konjufca kanë deklaruar se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë përbën shkelje kushtetuese dhe të ligjeve të Kosovës.

Po kështu në deklaratë thuhet më tej se një veprim i tillë është shkelje e integritetit territorial të vendit nga ana e Serbisë.

Ata i bënë thirrje QUINT-it që ndaj Kosovës të zbatohen të njëjtat standarde si me çdo vend tjetër, shkruan Koha.

“Përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër. Prandaj, praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021. Para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë.” – thuhet në deklaratë.