Ish-Kryeministri Sali Berisha ndodhet sot në Lezhë, ku ka festuar bashkë me mbështetësit e tij nga ky qark, 31-vjetorin e themelimit të PD-së së Lezhës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se vendi është përballë një armiku më të rrezikshëm se diktatori komunist.
Ai tha se Edi Rama dhe pengu i tij duke iu referuar Lulzim Bashës, duan të mbajnë peng pluralizmin në vend.
“Ne krenohemi sot në një ditë historike, sepse rrënjët e shkuara janë të domosdoshme për t’u njohur dhe nderuar, në mënyrë që e ardhmja të jetë ajo që duam. Ne jemi një parti e traditës, ne nuk heqim dorë nga tradita jonë. Ne e respektojmë atë, ndaj jemi vërtet një parti konservatore. Ne nderojmë rrënjët tona dhe historikun tonë sepse duam të projektojmë të ardhmen tonë më të mirë.
U zgjodha president në vitin 1992 dhe jetoja në Brrakë të Tiranës. Çdo ditë kaloja pranë sheshit Skënderbej. Sheshi ishte i mbushur me të papunë. Ndjeja një keqardhje të jashtëzakonshme. Bashkëshortja ime shkonte çdo ditë në dyqane bosh dhe merrte të shara sistematike nga komunistët për dyqanet bosh.
Në atë kohë ne kishim vetëm besimin tonë të madh te liria. Kishte shumë pak para në xhepa, kishte varfëri, kishte papunësi. Por kishte shpresë. Pse na shërben ne kjo? Ne përsëri kemi shumë mungesa. Demokratët sot janë më të diskriminuarit, më të ndëshkuarit, por ata janë njerëzit më të lirë të vendit. Ne vërtet vuajmë, por jemi më të pasurit në ideale, më të pasurit në atdhetari. Ata besojnë se do ia dalin dhe do ia dalim.
Ne kemi një armik shumë më të rrezikshëm se ai që kishim para vitit 1990. Ai që kishim, ishte një diktator, i cili kishte urdhëruar vrasje politike, por prapë e kuptoi se uragani i lirisë nuk mund të ndalet. Sot jemi përballë një armiku të egër të pluralizmit. Sot jemi i vetmi vend, ku kreu i qeverisë, kreu i Meduzës, mendon se do mbajë peng pluralizmin në Shqipëri. Mendon dhe beson duke marrë peng Lulzim Bravën, do të mund të vazhdojë të shkelmojë mbi të drejtat e shqiptarëve, mbi interesat e shqiptarëve.”- tha Berisha.