Lihet në burg efektivi i policisë në Kukës, Shkëlqim Cika, i arrestuar dy ditë më parë nën akuzën e korrupsionit.
Vendimi u mor sot nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, e cila ka vendosur masën e arrestit me burg për efektivin.
Ky vendim i Gjykatës vjen pas kërkesës së SPAK, pasi Çika dyshohet se i ka kërkuar ryshfet një qytetari i cili ndodhej në arrest shtëpie.
Sipas njoftimit të SPAK-ut, Çika ka kërkuar ryshfet me qëllim mos deklarimin në prokurori për largimin e shtetasit Admir Spahia nga banesa.
“Shtetasi Shkëlqim Cika, me detyrë punonjës policie, specialist zonë në Komisariatin e Policisë Kukës, i ka kërkuar mitëmarrje, përfitim të padrejtë, shtetasit A. S.
Kërkesa është bërë me qëllim, mos referimin në prokurori të largimit të shtetasit A. S nga vendi i detyrueshëm i qëndrimit, banesa, ku duhet të qëndronte për shkak të zbatimit të masës së sigurimit arrest në shtëpi.”– thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se në datën 13/01/2022, pasi Shkëlqim Çika ka dakordësuar mënyrën e marrjes së një pjesë të përfitimit të padrejtë, oficerët e policisë së Shërbimit të Cështjeve të Brendshme dhe Ankesave nën drejtimin e SPAK, kanë arritur të realizojnë ndalimin e tij.
Sa më sipër efektivi Shkëlqim Çika është lënë në arrest me burg nën akuzën e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.