Policia e Shtetit ka reaguar për kamionin me drogë që është kapur mëngjesin e sotëm në kufirin shqiptaro-malazez.
Në njoftimin e Policisë thuhet se kamioni rezulton të ketë kaluar nga pika e kalimit kufitar Hani i Hotit, Shkodër. Grupi hetimor po kryen hetimet në territorin e vendit tonë në koordinim me palën malazeze.
“Në Malin e Zi është kapur një kamion, brenda të cilit, autoritetet doganore dhe policore të Malit të Zi, kanë gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa.
Nga veprimet e para hetimore të përbashkëta të kryera nga autoritetet doganore dhe policore të Malit të Zi dhe të Policisë së Shtetit, paraprakisht rezulton se kamioni ka kaluar nga pika e kalimit kufitar Hani i Hotit, Shkodër.
Grupi hetimor i ngritur në Policinë e Shtetit po vazhdon kryerjen e veprimeve procedurale në territorin e vendit tonë, duke koordinuar veprimet me palën malazeze.
Informacion më të detajuar do japim në përfundim të veprimeve të para hetimore.”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Sasia e lëndës narkotike ende nuk dihet por do të përcaktohet më vonë gjatë ditës. Droga u gjet mes barishteve të thata dhe ishte deklaruar si “bimë medicinale”.
Mediet malazeze shkruajnë se kamioni me ngarkesën po lëvizte nga drejtimi i Shqipërisë dhe duhej të vazhdonte rrugën drejt BE-së, duke kaluar tranzit përmes Malit të Zi, me destinacion përfundimtar Gjermaninë.