Tre persona janë arrestuar nga policia në Mirditë, pasi u kapën me kanabis.
Shërbimet e Policisë Lezhë thonë se kishin marrë informacione se tre persona po transportonin lëndë narkotike nga Mirdita në drejtim të Lezhës. Bazuar në këto informacione, në vendin e quajtur “Gëziq”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin e dyshuar tip “Benz”, ku kanë gjetur dhe lëndën narkotike.
Bëhet fjalë për 17 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa.
Personat e arrestuar janë shtetasit Altin Përshqefa, 31 vjeç, Shkelqim Përshqefa, 32 vjeç dhe Çelnik Përshqefa, 35 vjeç, të tre banues në fshatin Bisakë të Mirditës.
Njoftimi i plotë i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Bisakë”.
Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Narkotikëve, Forca Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Lezhë dhe Mirditë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen 17 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetasit që transportonin lëndën narkotike.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike cannabis sativa, nga shërbimet e Policisë Lezhë u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Bisakë”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A.P., 31 vjeç, Sh.P., 32 vjeç dhe Ç.P., 35 vjeç, banues në fshatin Bisakë, Mirditë.
Shërbimet e Policisë Lezhë kishin marrë informacione se këta shtetas po transportonin lëndë narkotike nga Mirdita në drejtim të Lezhës. Bazuar në këto informacione, në vendin e quajtur “Gëziq”, Mirditë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin e dyshuar tip “Benz”.
Gjatë kontrollit të automjetin me drejtues shtetasin A. P. dhe pasagjerë vëllain dhe kushëririn e tij, shërbimet e Policisë gjetën 17 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.