Novak Djokoviç ndalohet sërish në Australi


Autoritetet australiane të imigracionit e kanë ndaluar përsëri tenistin serb Novak Djokoviç, duke argumentuar se megjithëse përjashtimi mjekësor nga vaksinimi Covid-19 ishte i vlefshëm, pikëpamjet e tij janë shumë të rrezikshme për ta lënë atë të qëndrojë.

Ylli i tenisit përballet me deportim pasi autoritetet argumentojnë se ‘ndjenja e tij kundër vaksinimit’ mund të nxisë ‘trazira civile‘ në Australi.

Siç shkruan RT, Djokoviç u arrestua në Melburn herët të shtunën në mëngjes, në zbatim të urdhrit të dhënë një ditë më parë nga gjykata pasi ministri i Emigracionit Alex Hawke i anuloi vizën kampionit serb.

Haëke përmendi “statusin e profilit të lartë” të Djokoviçit ndërsa argumentoi se “prania e tij e vazhdueshme në Australi mund të nxisë… mospërfilljen e kërkesave paraprake pas marrjes së një testi pozitiv Covid-19”.

“Unë mendoj se prezenca e vazhdueshme e zotit Djokoviç në Australi mund të sjellë një rritje të ndjenjës kundër vaksinimit të krijuar në komunitetin australian, potencialisht duke çuar në një rritje të trazirave civile të përjetuara më parë në Australi me mitingje dhe protesta të cilat mund të jenë vetë një burim transmetimi nga komuniteti.”- tha ministri Hawke.

Fillimisht pasi kishte udhëtuar për të konkurruar në “Australian Open” që nis të hënën, Djokoviçit iu mohua hyrja në vend javën e kaluar, pavarësisht se kishte një përjashtim mjekësor për vaksinimin.

Me atë rast, zyrtarët e kufirit australianë argumentuan se përjashtimi i tij mjekësor nuk ishte i mjaftueshëm për ta lejuar atë të hynte dhe viza iu hoq. Djokoviç e apeloi vendimin dhe kërkoi që gjykata të merrte anën e tij, duke e lejuar atë të qëndronte në vend dhe të stërvitej për “Australian Open”. Megjithatë, afati ishte jetëshkurtër pasi viza e tij u anulua për herë të dytë të premten.