Vendosni fjalën kyçe....

SHBA dëbon përgjithmonë Martin Shkrelin nga industria e Farmaceutikës, gjobë prej 64.6 milionë dollarësh



Një gjykatëse amerikane vendosi të premten të dëbojë përgjithmonë Martin Shkrelin nga industria farmaceutike dhe e urdhëroi atë të paguante një gjobë prej 64.6 milionë dollarë.

Kujtojmë se Shkreli ishte shefi ekzekutiv i “Vyera Pharmaceuticals”, një kompani e cila në vitin 2015 rriti çmimin e Daraprim, një ilaç që përdoret për trajtimin e Sidës, malaries dhe kancerit, me më shumë se 5000% dhe bllokoi konkurrentët gjenerikë.

Siç shkruan Reuters, gjykatësja e qarkut amerikan Denise Cote në Manhatan vendosi pas një gjyqi ku Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA-ve dhe shtatë shtete kishin akuzuar Shkrelin, themeluesin e Vyera Pharmaceuticals, për përdorimin e taktikave të paligjshme për të mbajtur rivalët e Daraprim jashtë tregut.

Shkreli mori famë në 2015 pasi rriti çmimin e Daraprim brenda natës në 750 dollarë për tabletë nga 17.50 dollarë që kishte qenë. Ilaçi trajton toksoplazmozën, një infeksion parazitar që kërcënon njerëzit me sistem imunitar të dobësuar.

Në një vendim prej 130 faqesh, Cote fajësoi Shkrelin për krijimin e dy kompanive, Vyera dhe Retrophin Inc, të krijuara për të monopolizuar barnat, në mënyrë që ai të mund të përfitonte “mbi kurrizin” e pacientëve, mjekëve dhe shpërndarësve.

Sipas gjyqtares, skema e Daraprim ishte “veçanërisht e pashpirt dhe shtrënguese” dhe duhej një ndalim i përjetshëm i industrisë për shkak të “rrezikut real” që Shkreli mund të bëhej një shkelës i përsëritur.

“Sjellja antikonkurruese e Shkrelit në kurriz të shëndetit publik ishte flagrante dhe e pamatur.”- shkruan gjyqtarja, citon Reuters. “Ai është i papenduar. Ndalimi i tij nga mundësia për të përsëritur atë sjellje nuk është asgjë nëse nuk është në interes të drejtësisë.”

Shkreli vuan dënimin me shtatë vjet burg për mashtrim me letrat me vlerë. Ai nuk mori pjesë në gjyqin e mbajtur muajin e kaluar.

Vyera u themelua në vitin 2014 si Turing Pharmaceuticals, dhe bleu Daraprim nga Impax Laboratories Inc në 2015. Rregullatorët e akuzuan Vyera-n për mbrojtjen e dominimit të Daraprim-it duke siguruar që prodhuesit e barnave gjenerike nuk mund të merrnin mostra për versione më të lira dhe duke i mbajtur rivalët e mundshëm nga blerja e një përbërësi kryesor.

Shtatë shtetet që iu bashkuan çështjes përfshinin Kaliforninë, Illinoisin, Nju Jorkun, Karolinën e Veriut, Ohajon, Pensilvaninë dhe Virxhinian.