Singapori, një nga vendet më të vaksinuara në botë kundër Covid-19, ka vendosur kufizime të reja që synojnë të pabindurit.
Siç shkruan RT, Republika e Singaporit ka ndaluar zyrtarisht punonjësit e pavaksinuar të punojnë në kontakt me të tjerët, duke hequr një politikë të mëparshme që i lejonte ata të punonin nëse paraqisnin teste të vazhdueshme negative për Covid-19.
Ndalimi i ri u zbatua të shtunën si pjesë e planit ‘Faza 2’ e Singaporit për fuqinë punëtore dhe do të nënkuptojë që shumë punonjës të pavaksinuar që nuk munden dot t’i kryejnë detyrat e tyre nga shtëpia së shpejti mund të pushohen nga puna.
Duke nisur nga e shtuna, “vetëm punonjësit që janë plotësisht të vaksinuar, të certifikuar se janë të papërshtatshëm nga mjeku për vaksinën ose janë shëruar nga Covid-19 brenda 180 ditëve, mund të kthehen në vendin e punës.”– deklaroi Ministria e Fuqisë Punëtore të Singaporit. Ministria paralajmëroi se ata punonjës të pavaksinuar që nuk bëjnë pjesë në asnjë nga kategoritë e përjashtuara “nuk do të lejohen të kthehen në vendin e punës” edhe nëse japin një test negativ.
Bizneset janë këshilluar që t’u caktojnë punonjësve të pavaksinuar detyra të cilat mund të kryhen nga shtëpia ose t’i vendosin në pushim pa pagesë. Megjithatë, nëse një kompani vendos se nuk ka asnjë mënyrë që të mund të strehojë një punonjës të pavaksinuar, ajo mund ta pushojë atë pa asnjë hezitim.
“Nëse ndërprerja e punës vjen për shkak të pamundësisë së punonjësve për të qenë në vendin e punës për të kryer punën e tyre të kontraktuar, një ndërprerje e tillë e punësimit nuk do të konsiderohet si largim i padrejtë nga puna.”- tha qeveria.
Ata që janë vetëm pjesërisht të vaksinuar do të lejohen të qëndrojnë në vendin e punës deri më 31 janar nëse vazhdojnë të japin rezultate negative të testit Covid-19. Pas kësaj date, megjithatë, ata do të përballen me të njëjtat kufizime si të pavaksinuarit.
Njerëzit e pavaksinuar tashmë janë të ndaluar nga restorantet dhe shumë dyqane në Singapor. Qyteti-shteti është një nga vendet më të vaksinuara në Tokë, me një shkallë vaksinimi prej 82.86%. Në dhjetor, qeveria raportoi se rreth 52 mijë punonjës nuk kishin marrë ende vaksinën e tyre të parë Covid-19, duke vënë në dukje se vetëm një “proporcion i vogël” mes tyre kualifikohej për përjashtime mjekësore.