35 persona janë arrestuar nga policia gjatë një aksioni të gjerë në Tiranë, ku përfshihen 15 operacione të koduara.
Gjatë kontrolleve të ushtruara janë sekuestruar laboratorë kanabisi e falsifikimi dokumenntesh, tre armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta, 21 kilogramë kababis, mijëra fidanë kanabis e mjete që përdoren për kultivimin e tij.
Po kështu janë gjetur edhe lojëra fati, kompjutera e sende të tjera të jashtëligjshme. Ndërkohë lidhur me shkelje të ndryshme në rrugë janë arrestuar 56 persona ndërsa 9 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Njoftimi
“Strukturat e Policisë së Shtetit, të angazhuara maksimalisht për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti.
Si rezultat i kontrolleve dhe informacioneve të marra në rrugë operative, gjatë kësaj jave u bë e mundur kapja e 28 personave në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale dhe e 2 personave në kërkim ndërkombëtar.
Po gjatë kësaj jave, në të gjithë vendin janë zhvilluar 15 operacione policore të koduara, konkretisht operacionet: “Pararoja”, “Investigation”, “RED LINE”, “Fati i lojërave”, “Online”, “Identiteti”, “Disponimi 2”, “Midnight”, “FOLLOW”, “Evazioni”, “Vila”, “Bisakë”, ”Blic”, “Bërdica” dhe “Sergate”.
Në kuadër të këtyre operacioneve janë arrestuar 35 shtetas, 4 janë shpallur në kërkim dhe 5 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë.
Janë zbuluar dy laboratorë, njëri për falsifikimin e dokumenteve dhe njëri për kultivimin e kanabisit me anë të llambave.
U sekuestruan 3 armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Gjithashtu janë sekuestruar rreth 21 kilogramë lëndë narkotike cannabis, një sasi me kokainë, 1200 fidanë cannabis, 730 bimë cannabis, 64 llamba elektrike, 64 impiantë kondicionerësh për pastrim ajri dhe 40 stabilizatorë elektikë.
Në fushën e krimeve mjedisore janë evidentuar 27 raste, për të cilat janë arrestuar në flagrancë 12 persona, janë proceduar në gjendje të lirë 20 persona dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim.
Në fushën e lojërave të fatit janë evidentuar 15 raste, për të cilat janë arrestuar në flagrancë 4 persona dhe janë proceduar në gjendje të lirë 11 të tjerë, si dhe janë sekuestruar 93 kompjutera që shërbenin për lojëra fati, 8 ruleta, çipsa dhe telefona celular që shërbenin për zhvillimin e basteve online.
Në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, emigrantëve nga vendet e treta që hyjnë ilegalisht në vendin tonë nëpërmjet kufirit me shtetin grek, janë evidentuar 10 raste, për të cilat janë arrestuar 9 persona dhe janë proceduar në gjendje të lirë 6 të tjerë.
Në fushën e qarkullimit rrugor janë arrestuar 56 drejtues automjetesh, ndërsa 9 janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 17 persona për dhunë në familje dhe janë proceduar 5 të tjerë, ndërsa 3 janë shpallur në kërkim.
Gjithashtu janë arrestuar 10 persona dhe janë proceduar 2 të tjerë, për kundërshtim të punonjësve të Policisë.
Strukturat e Policisë do të vijojnë me përkushtim e profesionalizëm kontrollin e territorit, për evidentimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurt dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.”