Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me mbështetësit e tij në Shkodër ku ka bërë thirrje që demokratët të distancohen nga Lulzim Basha.
Berisha i kërkoi gjithashtu deputetëve të PD-së që të heqin dorë prej tij.
Ish-kryeministri thotë se Bashën e pret “vrima e miut” nga revolucioni i pandalshëm.
“U drejtohem të gjithë atyre demokratëve, që akoma në mënyrën më të pabesueshme dëshmojnë mbështetjen më të vogël për Lulzim Bravën, hiqni dorë prej tij. Hiqni dorë, se ai është turpi i dheut, turpi i historisë. U them deputetëve të Shkodrës, bashkohuni me qytetin tuaj. Ndahuni nga Lulzim Basha, se atë e pret vrima e miut nga ky revolucion që nuk ka të ndalur. Askush nuk ka të drejtë të luajë me pluralizmin politik në Shqipëri. Ata që mbështesin Bashën për kryetar opozite, ata tallen me përçmim ndaj shqiptarëve. Shqiptarët që mbështesin Bashën, tallen me lirinë, me vlerat e pluralizmit, me pluralizmin politik në Shqipëri”, tha Berisha.
Berisha po zhvillon takimin me demokratët në pallatin e sportit të këtij qyteti në një tur që duket se jetë në të gjithë vendin dhe vjen pas protestës së 8 janarit në PD.