Vendosni fjalën kyçe....

Pas gjashtë vitesh shkëputje, Irani e Arabia Saudite do rivendosin marrëdhëniet diplomatike


Irani dhe Arabia Saudite po përgatiten të rihapin ambasadat e tyre përkatëse në Teheran dhe Riad dhe do të rivendosin lidhje të plota diplomatike, ka thënë një deputet iranian.

Marrëdhëniet midis dy fuqive të mëdha rajonale ‘po ringjallen’ dhe ambasadat ‘po përgatiten të hapen’, tha të shtunën në Tëitter, Jalil Rahimi Jahanabadi, një anëtar i Komitetit të Parlamentit iranian për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme.

“Kjo ka implikime të rëndësishme në zvogëlimin e tensioneve rajonale dhe rritjen e kohezionit të botës myslimane.” – shtoi ai.

Ai përfundoi duke u bërë thirrje mediave dhe agjencive të sigurisë anembanë botës që të kenë kujdes nga ‘shthurja e sionistëve’ dhe ‘marrëzitë e ekstremistëve’.

Arabia Saudite ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në vitin 2016, pas një sulmi ndaj misioneve të vendit në Iran, i nxitur nga ekzekutimi i një kleriku të shquar shiit të Arabisë Saudite, Nimr Baqir al-Nimr.

Tensionet midis Iranit shiit dhe Arabisë Saudite sunite janë përkeqësuar më tej gjatë luftës në Jemen, ku Riadi ndërhyri në anën e forcave të presidentit Abdrabbuh Mansur Hadi.

Pavarësisht tensioneve të tanishme, Riadi dhe Teherani nisën bisedimet e drejtpërdrejta vitin e kaluar, megjithëse ato nuk dhanë rezultate të prekshme.