Vizita e presidentit turk Reçep Tayip Erdogan në Shqipëri përkon me 554-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu.
Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot homazhe dhe vendosi një kurorë me lule në memorialin e Heroit Kombëtar në Lezhë. Nga vendi ku prehen eshtrat e Skënderbeut, Meta tha se ai përcaktoi në mënyrë të pakthyeshme identitetin evropian të popullit tonë.
“Sot është dita e kalimit në përjetësi e kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, që me shumë të drejtë Fano Noli do e cilësonte shqiptari më i gjallë për gjithë shqiptarët përgjithmonë.
Është jo vetëm kryeheroi kombëtar, që i dha identitetin më të fortë kombit tonë, në mbrojtje të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor, por edhe është ky personalitet i jashtëzakonshëm dhe një hero i qytetërimit evropian.
Ai përcaktoi në mënyrë të pakthyeshme identitetin evropian të popullit tonë. Kjo figurë kaq e madhe, që edhe shekuj më pas shërbeu si frymëzim kryesor i rilindjes sonë kombëtare për të ngritur popullin shqiptar në luftën për liri, shtet formim dhe pavarësi. Është pikërisht Gjergj Kastriot Skënderbeu që me veprën e tij do të frymëzojë shqiptarët për veprat e tij dhe dinjitet kombëtar dhe njerëzor.”- tha Meta.