Një përplasje ka ndodhur në seancën e sotme plenare në Kuvend, lidhur me vendimin e Këshillit Kombëtar të PD, për përjashtimin nga grupi parlamentar të anëtarëve të Rithemelimit.
Pas kundërshtimeve nga deputetët e përjashtuar të cilët janë mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërhyri kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taluant Balla.
Ai tha se qëndrimi i mbajtur nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla është i drejtë dhe se përjashtimi, është një ekskluzivitet i anëtarëve të PD-së, duke kujtuar se edhe më parë ka patur largime si rasti i Spartak Ngjelës.
“Unë mbështes qëndrimit tuaj. Kryetari i Kuvendit ka detyrë të njoftojë seancën e sipërmarrjen në Kuvend. E para të kujtojmë që në këtë sallë janë njoftuar vendime për përjashtime historikisht.
Me vendim të PD është përjashtuar nga grupi Spartak Ngjela. E drejta e një grupi parlamentar për të përjashtuar dikë, është e drejtë ekskluzive. Unë jam besimplotë se brenda grupit parlamentar të PD ka një rregullore. Nuk ekziston koncepti i pezullimit. O je në një grup parlamentar ose nuk je. Në këtë këndvështrim, unë them që seanca të vijojë.”- tha Balla.
Deputeti Flamur Noka e kundërshtoi qëndrimin e Ballës, duke i kërkuar atij të mos bëhet zëdhënës i PD-së së Bashës.
“Unë e kuptoj dashurinë e madhe që Balla ka për shoqatën e Bravave. E kuptoj që është i ngarkuar me mision nga kreu i regjimit për të kontrolluar pengun. Këtë e kuptoj unë dhe çdo demokrat. Ju zonjë nuk duhet të pranoni që Balla të flasë në emër të grupit parlamentar të PD. Fyerje më të rëndë për demokratët nuk ka e s’ka për të pasur.
Nëse pengu autorizon Ballën për të bërë zëdhënësin e PD, kjo s’ka për të ndodhur. Balla s’mund të përmendë PD dhe grupin parlamentar të PD. Kjo është e turpshme. Ju drejtohem edhe ju zonjë. Ju jeni aty për të drejtuar seancat dhe jo për të miratuar apo jo shkresat. Me çfarë të drejtë ju referoheni shkresës së bravave dhe jo shkresës së Kuvendit Kombëtar.
Gabime të tilla mos bëni. Hidhuni shkresat në koshin e plehrave dhe ecni përpara. Demokracia është fituar në ’90 dhe nuk mundeni të fusni në thes demokracinë. Me këto skena po tregoni se krimi e interesi, bandat, ju drejtojnë dhe pengun doni ta demonstroni që e doni shumë. Ndaj reflektoni!”- tha Noka.