Ish-kryeministri Sali Berisha i cili mungoi në seancën parlamentare të ditës së sotme tregoi arsyen pse nuk ishte i pranishëm në fjalën e Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.
Berisha në emisionin “Quo Vadis” në Vizion Plus tha se arsyeja ka të bëjë me kontraditat e hapura që ka pasur me Erdogan në vitet e fundit të qeverisjes së tij.
Ish-kryeministri tha se me Erdogan ka pasur përplasje për rezoluta në OKB që binin në kundërshtim me SHBA-të për çështjen e Palestinës.
“Mungova sot sepse gjykova që nuk duhet të isha i pranishëm në fjalën në Parlament të presidentit të Turqisë, Erdogan. Unë jam njeri që respektoj shumë Turqinë dhe kombin turk, por unë kam patur kontradikta të hapura me presidentin Erdogan në vitet e fundit të qeverisjes nga unë, ku nuk kam pranuar të ndjekë apo të votojnë në OKB rezoluta që binin në kundërshtim, në vlerësimin tim, me qëndrimet që mbanin SHBA dhe vendet e mëdha për çështjen e Palestinës. Shqipëria është nga ato të pakta vende që ka një ambasadë të Palestinës prej vitesh, por asnjëherë nuk u vendos në diskutim prania e saj në Tiranë. Rezoluta me të cilin u ndava me Erdogan ishte një përpjekje për të përjashtuar rolin e SHBA në zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme. Ishte përpjekje për ta salduar edhe më tej atë krizë”-deklaroi Berisha.