Këngëtarja Celine Dion ka njoftuar anulimin e 16 shfaqjeve të mbetura të turneut të saj botëror, për shkak të problemeve të vazhdueshme shëndetësore.
Këngëtarja kanadeze tha se po riaftësohej nga ‘spazma të rënda dhe të vazhdueshme të muskujve’, që po pengonin aftësinë e saj për të dhënë shfaqje, sipas një postimi të publikuar nga llogaria e saj e verifikuar në Instagram të shtunën.
Shfaqjet e mbetura të turneut të saj botëror ‘Courage’ ishin riorganizuar për t’u zhvilluar nga 9 marsi deri më 12 prill të këtij viti. Megjithatë, që atëherë ato janë anuluar ndërsa ekipi i saj mjekësor vlerëson dhe trajton gjendjen e saj.
“Unë me të vërtetë shpresoja se do të isha mirë, por marr me mend se duhet të jem më e duruar dhe të ndjek regjimin që më kanë përcaktuar mjekët.” – tha Dion në postimin e publikuar në Instagram.
Dion njihet më së shumti për regjistrimin e baladës së filmit ‘Titanic’, ‘My Heart Ëill Go On’, për të cilën fitoi dy Grammy në vitin 1998.
Në vitet në vijim ajo u bë një nga artistet më të shitura të të gjitha kohërave me shitje rekord që tejkalojnë 200 milionë disqe në mbarë botën, sipas Sony Music.