Tenisti Novak Djokoviç ka mbërritur në Serbi pasi u deportua nga Australia. Kampioni i tenisit u deportua pasi humbi një betejë ligjore për vizën, për shkak se ai është i pavaksinuar.
Mbështetësit e tij u mblodhën në aeroportin e Beogradit, duke valëvitur flamurin kombëtar serb dhe duke brohoritur “ne e duam Novakun”.
“Është një turp ajo që ata i bënë Novakut në Australi.”- tha një fans i tij sipas BBC. “Është turp si është kthyer bota”.
Fansi shtoi: ”Unë vetë jam i vaksinuar, dy herë, por mendoj se askush nuk duhet të detyrohet të bëjë diçka… ai u gjykua dhe u dënua për lirinë e tij të zgjedhjes”.
Turneu i këtij viti Australian Open filloi në Melburn të hënën. Djokoviç ishte planifikuar të luante më vonë gjatë ditës, por dëbimi i tij dramatik i dha fund shpresave të tij për të fituar një titull rekord të 21-të të Grand Slam.
Sipas ligjeve të imigracionit të Australisë, 34-vjeçarit nuk mund t’i jepet një vizë tjetër për tre vjet.