Vendosni fjalën kyçe....

“Do të them vëlla kur të meritosh respektin e popullit tënd” – Rama kujton takimin e parë me Erdoganin


Në ceremoninë e dorëzimit të çelësave familjeve të dëmtuara nga tërmeti në Laç, kryeministri Edi Rama e nisi fjalimin e  tij duke kujtuar takimin e parë me Presidentin turk Erdogan, që në atë kohë ishte kryeministër i Turqisë.

Rama kujton se Erdogan nuk dilte shumë i buzëqeshur në televizion, por kur e ka takuar nga afër ka njohur një anë tjetër të tij. Fjalët e para që Erdogan i tha, ishin se Shqipërinë dhe Kosovën i ka në zemër. Por që Ramën ta quante vëlla, duhej që kryeministri shqiptar të fitonte respektin e popullit shqiptar.

 

“Kjo është një ditë jashtëzakonisht e veçantë, unë do të flas sa më shkurt pasi sot të gjithë duan të dëgjojnë mikun e madh të Shqipërisë dhe kam nderin ta them mikun tim të çmuar presidentin Erdogan.

Sot duhet të tregoj një episod që nuk kam për ta harruar kurrë nga takimi im i parë fare me presidentin, i cili në atë kohë ishte kryeministër.

Unë isha i ndrojtur sepse atëhere e njihja vetëm nga larg nga televizioni dhe e dini se nga tv nuk duket dhe aq i buzëqeshur.

Edhe me thënë të drejtën edhe kur u takuam dhe ishim ulur ballë për ballë shikonte por nuk buzëqeshte.

Dhe akoma nuk isha bërë kryeministër dhe më thotë dëgjo këtu: Shqipëria dhe Kosova janë në zemrën time.

Shqiptarët janë në zemrën e popullit turk. Unë tha dëshiroj që ti të jesh vëllai im. Por unë do te të them vëlla atëhere kur ti si kryeministër i vendit tënd të meritosh respektin e popullit tënd. Këtë histori pak a shumë të gjithë e dini, dhe unë jam shumë krenar që mund ta quaj veten miku i presidentit Erdogan. Madje një gazetare gjermane para disa kohësh më pyeti në një konferencë, më tha: A është e vërtetë që ju jeni miku i presidentit Erdogan? I thashë Jo nuk është e vërtetë, e kam shumë mik, jo mik. E kam frikë këtë përkthyesin se nuk e di si mi kthen fjalët në turqisht, por nuk kam rrugë tjetër duhet të investoj se në turqisht jam në moshë shumë të thyer për ta moshuar tani.

Por sot duhet të them edhe këtë, tani kam vite që kam privilegjin të jem në këtë detyrë dhe i kam takuar pothuajse të gjithë këta burrat e shteteve për shkak të detyrës dhe është e vërtetë që shpesh here janë kuriozë se çfarë është kjo miqësi kaq e ngushtë e imja me presidentin e Turqisë.

Dhe zakonisht priren ta shikojnë këtë si një çështje konspiracioni. Jo Turqia neotomane, jo xhamitë, jo aspiratat e presidentit etj etj, kurse përgjigja ime është shumë e thjeshtë. Erdogan thotë atë që bën dhe bën atë që thotë.

Dhe më besoni se është shumë e vështirë në kohën e sotme që të gjesh njerëz që Po-në e kanë Po dhe Jo-në Jo.

Kjo është arsyeja pse unë tani i solla këto episode sepse ja ku jemi sot.

Këtu është realizimi i të gjithë fjalëve të bukura. Këtu mund të shikohet çfarë do të thotë presidenti Erdogan kur thotë ‘Shqipërinë e kam në zemër dhe çfarë i dhemb Shqipërisë më dhemb edhe mua’.

Mustafa Kemal Ataturku mboli frymën se njerëzimi është një trup i vetëm e cdo komb është pjesë e atij trupi. Ai tha se nuk mundet dot kurrë të themi çfarë rëndësie ka për ne që një pjesë e këtij trupi është e sëmurë sa kohë ne nuk jemi sëmurë. Këtë frymë Presidenti Erdogan e ka rrënjosur thellë tani në qasjen e Turqisë në mënyrën si e shikon botën dhe miqtë e saj.

Këtë frymë presidenti Erdogan e ka rrënjosur thellë tanimë në shpirtin e Turqisë, në qasjen e Turqisë, në mënyrën si Turqia e shikon botën dhe miqtë e saj.

Dhe kuptimi që ai i jep me vepra dhe jo vetëm me fjalë, fjalës vëllazëri është mishërimi i asaj që thotë profeti Muhabed: Paqja e Zotit të jetë me të tërë.

Premtova që do flas shkurt por në këtë pikë siç thonë kritikët e mi unë i ngjaj atij. Megjithatë do ta mbyll duke sjellë edhe një episod tjetër. Gjatë kohës që sapo kishte filluar puna me mikun tonë, ministrin e ngarkuar me këtë detyrë Muratin, të gjithë këtu u alarmuan se thanë i ra tërmeti në shtëpinë e tij dhe presidenti e harroi premtimin këtu.

Unë i thashë i bindur që kjo nuk do të ndodhë, jo vetëm se pse Turqia i ka mundësitë që njëkohësisht t’i bëjë të dyja, por edhe nëse nuk do ti kishte mundësitë, presidenti Erdogan nuk do ta linte premtimin që të linte punën këtu e të mbante fjalën atje. Sepse e përsëris dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua, Erdogan jo vetëm e thotë, jo vetëm e mendon, jo vetëm e beson por e bën realitet atë që solla këtu pak më parë si një nga porositë e profetit: asnjë nga ju nuk beson nëse nuk dëshiron për vëllain e vet të njëjtën gjë që dëshiron për veten e vet.”- tha Rama.