Vendosni fjalën kyçe....

Erdogan: Jemi të trishtuar që anëtarë të organizatës terroriste Feto ndodhen në Shqipëri, merrni masa


Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, presidenti turk, Rexhep Tayip Erdogan, nuk la pa përmendur armikun e tij, Fetullah Gylen.

Ai u shpreh se organizata terroriste Feto, që në 2016 tentoi të bënte një grusht shteti, është shtrirë edhe në Shqipëri duke shprehur keqardhjen e tij për këtë.

Erdogan tha se anëtarët e kësaj organizate i kanë duart e lyer me gjak e duhet të dënohen.

“Në takimet tona ne vlerësuam edhe luftën tonë ndaj organizatave terroriste, kjo organizatë tentoi të bënte një grusht shteti që kishte në shënjestër demokracinë tonë.

Kjo strukturë që ka duart e lyer me gjak e bën atë të rrezikshme. Fakti që FETO ndodhet në Shqipëri na trishton shumë. Duhet të merren hapa më të shpejtë ndaj Fetos.

Ne diskutuam edhe për marrëdhëniet tona ekonomike. Besojmë se në një kohë të shkurtër do e arrijmë objektivin tonë. Po të shtojmë shërbimet e kontraktimit, Turqia është investitori më i madh në Shqipëri. Më shumë se 600 kompanitë tona ofrojnë vende pune. Këto shifra do të rriten akoma dhe më shumë. Duam të zgjerojmë marrëdhëniet.

Urojmë që vendimet që kemi marrë do të jenë të dobishme e po ashtu të gjithë banorët apo qytetarët që do të banojnë në banesat e reja që inauguruam sot, në emrin tim personal i uroj një jetë të gjatë të shëndetshme të gjithë banorëve. Faleminderit shumë!”– tha Erdogan.