Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është drejtuar Bashkisë së Tiranës me një kërkesë për informacion lidhur me një projekt, që sipas tij, parashikohet të ndërtohet në territorin ku ndodhet selia qendrore e Partisë Demokratike.
“Në datën 13.01.2022, media bëri publike një ide projekt ku parashikohej ndërtimi i tre kullave, pikërisht në territorin ku ndodhet selia qëndrore e Partisë Demokratike. Në mungesë informacioni mbi këtë projekt, Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi i ka dërguar një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, ku kërkon që t’i vihet në dispozicion një informacion të plotë dhe të detajuar, për sa më poshtë”- thuhet në njoftimin e PD-së.
Në kërkesën drejtuar Bashkisë, Bardhi ngre katër pyetje lidhur me këtë projekt, që sipas tij parashikon ndërtimin e tre kullave.
Katër pyetjet e Bardhit:
- Kur është dorëzuar zyrtarisht projekti “Four Freedoms Park” pranë Bashkisë Tiranë, dhe kush kanë qenë propozuesit/financuesit e këtij projekti? A ka pasur gjatë ditëve të fundit një përpjekje nga propozuesit e projektit apo persona të tjerë për riaktivizimin e këtij projekti?
- Cila ka qenë procedura e ndjekur nga Bashkia Tiranë lidhur me trajtimin e këtij projekti? A ka pasur një prezantim të këtij projekti pranë zyrave të Bashkisë Tiranë? Nëse po, kush kanë qenë pjesëmarrësit privatë dhe institucionalë gjatë këtij prezantimi? Kujt i është njoftuar ky projekt deri më tani?
- A ka pasur një vendimmarrje lidhur me këtë projekt? Nëse po, ju lutem të na vini në dispozicion aktet përkatëse, duke na sqaruar edhe cili është statusi aktual i këtij projekti dhe nëse sipas rregullave në fuqi të planifikimit të territorit a lejohet ndërtimi në zonën e propozuar?
- Ju lutem, na vini në dispozicion praktikën e plotë shkresore që disponon Bashkia Tiranë lidhur me projektin “Four Freedoms Park”, nga momenti i dorëzimit të tij deri në datën e marrjes së kësaj kërkese.