Vendosni fjalën kyçe....

Hakerët koreano-veriorë vodhën mbi 400 milionë dollarë në kriptomonedha vitin e kaluar – Raporti


Hakerët e Koresë së Veriut vodhën kriptovaluta me vlerë rreth 400 milionë dollarë në vitin 2021, duke e bërë atë një nga vitet më fitimprurëse deri më tani për kriminelët kibernetikë në vendin e izoluar rëndë, sipas një raporti të ri.

Hakerët nisën të paktën shtatë sulme të ndryshme vitin e kaluar, duke synuar kryesisht firmat e investimeve dhe shkëmbimet e centralizuara me një sërë taktikash, duke përfshirë phishing e malëare, sipas raportit nga Chainalysis, një kompani që gjurmon kriptovalutat.

Kriminelët kibernetikë punuan për të fituar qasje në kuletat dixhitale të organizatave që janë të lidhura me internetin dhe më pas transferuan fondet në llogaritë e kontrolluara prej tyre në Korenë e Veriut.

Vjedhjet janë treguesi më i fundit se vendi i sanksionuar rëndë vazhdon të mbështetet në një rrjet hakerash për të ndihmuar në financimin e programeve të tij vendase.

Një raport konfidencial i Kombeve të Bashkuara akuzoi më parë regjimin e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, për kryerjen e ‘operacioneve kundër institucioneve financiare dhe shtëpive të shkëmbimit të monedhës virtuale’ për të paguar armët dhe për të mbajtur në këmbë ekonominë e Koresë së Veriut.

Shkurtin e kaluar, Departamenti Amerikan i Drejtësisë akuzoi tre koreano-veriorë për komplot për të vjedhur më shumë se 1.3 miliardë dollarë nga bankat dhe kompanitë në mbarë botën dhe për orkestrimin e grabitjeve dixhitale të kriptomonedhave.