Vendosni fjalën kyçe....

Lavrov hedh poshtë akuzat e SHBA-ve se kërkon pretekst për pushtimin e Ukrainës: Deziformim i plotë


Kryediplomati rus ka hedhur poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara se Moska po përgatit një pretekst për të sulmuar Ukrainën

Shtëpia e Bardhë tha të premten se zyrtarët e zbulimit amerikan kanë arritur nw qwndrimin se Rusia ka dislokuar tashmë operativët e saj në Ukrainën lindore të kontrolluar nga rebelët, për të kryer akte sabotazhi dhe për t’ia lënë fajin Ukrainës, duke krijuar kështu një pretekst për ta pushtuar.

Duke folur për gazetarët të hënën, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov i hodhi poshtë pretendimet e Shteteve të Bashkuara duke i quajtur “një dizinformim i plotë”.

Ai konfirmoi se Rusia po pret një përgjigje me shkrim këtë javë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për kërkesat e Moskës për garancitë se NATO nuk do të anëtarësojë Ukrainën, apo vende të tjera ish-sovjetike, dhe as do të dislokojë forca dhe armatime në atë vend.

Uashingtoni dhe vendet aleate refuzuan me forcë kërkesat e Moskës gjatë negociatave SHBA-Rusi javën e kaluar në Gjenevë dhe gjatë një takimi NATO-Rusi në Bruksel. Takimet zhvilloheshin ndërsa rreth 100 mijë forca ruse me tanke dhe armatime të tjera të rënda janë mbledhur pranë Ukrainës. Perëndimi mendon se ky është preludi i një pushtimi, shkruan VOA.