Vendosni fjalën kyçe....

PD informon Kuvendin për ndryshimet në grupin parlamentar, pas përjashtimit të mbështetësve të Berishës


PD i është drejtuar Kuvendit me një shkresë zyrtare ku e ka njoftuar për vendimet e marra, pas mbledhjes së organizuar nga Këshilli Kombëtar i PD-së.

“Pas vendimeve të Kryesisë së Partisë dhe këshillit Kombëtar të PD, në përputhje me statutin dhe Rregulloren e brendshme të Grupit Parlamentar, në përputhje me nenet 15 e vijues të Rregullores së Kuvendit, ju njoftojmë se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të datës 15.01.2022, kryetari i Grupit Parlamentar është zgjedhur Enkelejd Alibeaj”- shkruhet në njoftimin e PD.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar përveç ndryshimit të Kreut të Grupit Parlamentar ku në vend të Alfred Rushajt u vendos Enkelejd Alibeaj, janë ndryshuar edhe emrat e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare si dhe në Byronë e Kuvendit.

Kështu vendin e Alibeajt si nënkryetar i Kuvendit e ka zënë Agron Gjekmarkaj. Ndërsa si Kryetare e Komisionit të Arsimit u vendos Flutura Açka. Vendin e Albana Vokshit si Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë e zuri Grida Duma.

Ndryshimet e tjera që u propozuan kanë të bëjnë me drejtimin e komisioneve parlamentare dhe në Byronë e Kuvendit.