Edmond Spaho ka reaguar i irrituar pasi kryeparlamentarja Lindita Nikolla lexoi vendimin e PD-së për përjashtimin nga grupi parlamentar të deputetëve që janë mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Por Spaho tha se Lulzim Basha nuk mundet dot ta përjashtojë atë nga grupi parlamentar i PD-së. Ai thotë se nuk e kishte menduar kurrë se Basha do rikthente kohën e diktaturës me përjashtime e internime.
“Zonja kryetare nuk e kisha menduar kurrë që Lulzim Brava do të na sillte edhe njëherë në kohën e diktaturës, ku përjashtohen njerëzit nga partia, Kuvendi, internohen. Unë tani pres të më tregojë edhe fshatin ku do më internojë. Ndoshta në Grabjan të Lushnjës ku kam qenë në vitet 60.”- tha Spaho.
Ndërhyn Nikolla: Nuk është për procedurë.
Spaho: Ju lutem mos më ndërprit fjalën
Nikolla: Referojuni nenit të rregullores, nuk ka komente politike këtu.
Spaho: I referohem rregullores, nuk më përjashton dot njeri mua nga grupi parlamentar i PD-së. Pse? Partinë Demokratike unë kam hyrë kur kam tërhequr me zinxhir bustin e Leninit, Lulzim Brava ka ardhur ministër direkt, njëri pas tjetrit, nuk më përjashton dot mua ai i cili futi kriminelë në selinë e PD-së që gotiti me gazlotsjellës anëtarët e PD-së dhe i vunë Policinë për t’i masakruar.
Më vjen mirë dhe ndihem i lehtësuar që jam larguar larg shoqërisë së tij. Dhe do ndihem edhe më i lirë për të thënë fjalën që duhet të dëgjojë populli shqiptar.
Nuk kanë të ardhme me të, me një njeri që ka humbur katër palë zgjedhje dhe hiqet si e adhmja shqiptare. Me një njeri që përpiqet të mashtrojë anëtarësinë e PD-së, t’i thotë atë që nuk është vetëm të ruajë karrigen e tij në bashkëpunim me Edi Ramën.
Mos të mendojë se e ka të largët ditën kur anëtarët e PD-së do i japin atë që meritojnë.