Vendosni fjalën kyçe....

Rama e Erdogan përurojnë në Laç 522 apartamentet e ndërtuara nga Turqia


Kryeministri Rama e presidenti turk Erdogan kanë shkuar në qytetin e Laçit për të përuruar 525 apartamentet e reja të ndërtuara nga shteti turk për banorët e pastrehë, shtëpitë e të cilëve u prishën në tërmetin e 26 nëntorit 2019.

Presidenti turk është pritur me muzikë tradicionale turke pas mbërritjes në vendin ku po zhvillohet ceremonia.

“Të gjithë të marrin gërshërët dhe të presin shiritin. Me të prerë shiritin, gërshërët nuk do të dorëzohen. Le të themi bismilah.”- tha Erdogan në momentin e prerjes së shiritit.

Një nga qytetarët iu drejtua presidentit turk duke i thënë se populli shqiptar nuk e harron kurrë këtë.

“Kujtoj dy vite më parë, kur ishim të pa shpresë, pa ëndrra, nuk kishim shpresë po i drejtoheshim Zotit, qiellit, dhe pikërisht në këto momente kryeministri ynë i nderuar Z.Edi Rama, na dha forcë sepse Edi Rama kishte mikun presidentin e Turqisë. Zoti president, shqiptari di ta vlerësojë të mirën dhe gjithmonë populli shqiptar nuk e harron këtë.

Nuk harron njëkohësisht as miqësinë as dashurinë e popullit turk, me të cilin ka patur pika takimi gjatë historisë së zhvillimit. Faleminderit shumë. Qofsh me jëtë të gjatë.”- tha qytetari pas marrjes së çelësave që ia dorëzoi vetë Erdogan.

Gjatë fjalës së tij, presidenti Erdogan tha se ndërtimi i 522 njësive të banimit, që u shkatërruan nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, ka kushtuar 42 milionë euro.

Erdogan “Qytetar Nderi” në Kurbin

Presidenti i turk Recep Tayyip Erdogan është vlerësuar me titullin ‘Qytetar Nderi i Kurbinit’.

Kryebashkiakja Majlinda Cara, ndërsa ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Turqia i ka dhënë vendin pas tronditjes nga tërmeti i 2019.

“28.12.2022 akordon titullin më të lartë ,Qytetar Nderi i Kurbinit.Me motivacionin  e solidaritetit për ndihmën në ditën e vështira të Kurbini dhe me zhvillimin e procesit të Rindërtimit. Kjo është një pllakatë e vogël në emrin tim personal për të shprehur mirënjohjen”- tha ndër të tjera kryebashkiakja.

“Sheshi Erdogan”

“Sheshi Erdogan”, kështu do të quhet sheshi kryesor në lagjen e ndërtuar në Laç me financimin e Turqisë.

Pasi kanë prerë shiritin për inaugurimin e lagjes së re në qytetin e Laçit, kryeministri Edi Rama bashkë me kryeparlamentaren Lindita Nikollën kanë zbuluar një mbishkrim ku shkruhej emri i sheshit në lagjen e re, që emërohet nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. 522 banesat e rindërtuar në Laç janë bërë me financimet turke.

Presidenti i Turqisë ka thënë sot se Turqia do i qëndrojë pranë Shqipërisë në të gjitha kohët e vështira që do kalojë njësoj siç bëri në rastin e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Ai tha se Turqia iu gjend menjëherë Shqipërisë në rastin e tërmetit, gjë që tregon për solidaritetin e vëllazërinë mes popujve.

“Ne u mobilizuam me të gjitha mundësitë tona dhe ju erdhëm në ndihmë pas tërmetit të 26 nëntorit. Siç e theksoi miku im, Edi Rama, vëllai i qëndron pranë vëllait kur ka nevojë dhe jo kur thirret. Fakti që Turqia ishte nga vendet e para që i erdhën në ndihmë Shqipërisë është shenjë e solidaritetit të fortë mes nesh. Sot po dorëzojmë 522 njësi banimi që kanë kushtuar 42 milionë euro. U uroj familjarëve t’i gëzoni këto shtëpi. Falënderoj Zotin që gjatë këtij procesi, edhe pse Turqia u sprovua me tërmete e zjarre, arritëm ta përmbushim premtimin. Do vijojmë t’i qëndrojmë pranë Shqipërisë.”­ – tha ndër të tjera Erdogan.

Pas qëndrimit në Laç Erdogan do udhëtojë drejt Tiranës për t’u takuar me Ramën në kryeministri.

Më pas ai do mbajë një fjalë në Kuvend në orën 17:00 në seancën e parë plenare për këtë vit dhe më pas në orën 18:00 do largohet nga Shqipëria. Shefi i Ankarasë pritet të qëndrojë në vendin tonë në një vizitë 13 orëshe./Hashtag.al