Vendosni fjalën kyçe....

Rama pas firmosjes së 7 marrëveshjeve me Erdoganin: Falenderimet nuk janë të mjaftueshme, asgjë s’është e pamundur kur ke mbështetjen e tij


Pas firmosjes së 7 marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Turqisë, kryeministri Edi Rama dhe presidenti turk Recep Tayip Erdogan kanë dalë në një konferencë për mediet.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama përsëriti disa herë falenderimet e tij për presidentin turk për ndihmën në procesin e Rindërtimit, duke thënë se falenderimet nuk janë kurrë të mjaftueshme.

“Mirëmbrëma të gjithëve, i nderuar presidenti i Turqisë, i dashuri miku im shumë i nderuar, të dashur ministra që shoqëroni presidentin, sot është një ditë e rëndësishme për ne dhe patjetër është një ditë e bukur në fakt si çdo ditë kur hapim dyert për të pritur miqtë nga vendi juaj dhe po ashtu sot është një ditë shumë e veçantë sepse kemi qenë së bashku në kurorëzimin e një përpjekjeje të jashtëzakonshme miqësore, vëllazërore dhe dashamirëse për të mbështetur rilindjen e një komuniteti aty ku tërmeti goditi shumë fort dhe kur sot 522 familje janë në kushte shumë më të mira se ato që kishin përpara se sa tërmeti t’i linte pa shtëpitë e tyre.

Edhe njëherë dua ta falenderoj presidentin që u gjend pranë nesh qysh në sekondën e parë pas goditjes së tërmetit, që u angazhua publikisht i pari dhe me një angazhim shumë konkret dhe që e mbajti fjalën por kjo e fundit nuk përbën lajm për presidentin Erdogan, pasi ky i fundit atë që thotë e bën.

Falenderoj të gjithë ata që i dhanë jetë kësaj nisme bujare, që nga ministri Murat, kompania, punëtorët, sepse jo vetëm ndryshuan jetën e këtyre njerëzve por ndërtuan një tjetër shembull shumë domethënës për vlerën dhe për thellësinë e marrëdhënies shqiptaro-turke. Shumë faleminderit të gjithëve. Mund të mendoni se po e teproj, por siç thotë profeti Muhamed Paqja e Zotit qoftë mbi të, kush nuk i falenderon njerëzit nuk e ka falenderuar Zotin dhe për këtë falenderimet nuk janë të mjaftueshme.

Një vit më parë kemi firmosur në Ankara një sërë marrëveshjesh dhe një deklaratë për krijimin e Këshillit të Nivelit të Lartë që asokohe u bë shkak për shumë pyetje dhe sot kemi një vit nismash dhe realizimesh konkrete që dëshmojnë vlerën e shtuar të këtij këshilli dhe dëshmojnë se takimi i Ankarasë dëshmoi çeljen e një marrëdhenie të re midis nesh.

Unë nuk e vura bastin me presidentin për spitalin e Fierit, se do e kisha humbur, por as ai nuk e di të vërë baste dhe sot spitali i Fierit, është edhe një pikë transferimi e dijes prej ku po zhvillojmë fazën e re të Reformës në Shëndetësi për të kaluar në një nivel tjetër të administrimit shëndetësor dhe për të ndërtuar autonominë spitalore. E kam thënë më parë se ëndrra jnë është që shërbimi shëndetësor është të marrë sa më shumë trajtat e shërbimit shëndetësor turk. Nëse deri dje kjo dukej e pamundur, sot askujt nuk i duket e pamundur për sa kohë në këtë përpjekje kemi mbështetjen e presidentit Erdogan. Nuk dua të zgjatem më shumë sepse axhenda kërkon që presidenti t’i drejtohet Parlamentit pas pak.”– tha Rama.