Vendosni fjalën kyçe....

Raporti: Pasuria e 10 burrave më të pasur në botë u dyfishua gjatë pandemisë


Pandemia i ka bërë dhjetë njerëzit më të pasur në botë shumë më të pasur, por ka bërë gjithashtu që më shumë njerëz të jetojnë në varfëri.

Sipas një raporti të organizatës së bamirësisë Oxfam, të ardhurat më të ulëta për më të varfërit në botë kontribuan në vdekjen e 21 mijë njerëzve çdo ditë.

Por 10 njerëzit më të pasur në botë e kanë më shumë se dyfishuar pasurinë e tyre kolektive që nga Marsi i vitit 2020, shkruan BBC.

Raporti i Oxfam mbi pabarazinë globale publikohet si zakonisht para takimit të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Ky event mbledh mijëra liderë korporatash dhe politikë, të famshëm, aktivistë, ekonomistë dhe gazetarë bëhen bashkë në resortin zviceran të skive për diskutime në panel.

Megjithatë, për të dytin vit radhazi, takimi i planifikuar për këtë javë do të jetë online për shkak të pandemisë.

Sipas shifrave të Forbes të cituar nga organizata bamirëse, 10 njerëzit më të pasur në botë janë: Elon Musk, Jeff Bezos, Bernard Arnault dhe familja, Bill Gates, Larry Ellison, Larry Page, Sergey Brin, Mark Zuckerberg, Steve Ballmer dhe Warren Buffet.

Duke i marrë së bashku pasuria e tyre u rrit nga 700 miliardë dollarë në 1.5 trilion dollarë midis marsit 2020 dhe nëntorit 2021. Por ka një ndryshim të rëndësishëm mes tyre, me pasurinë e zotit Musk duke u rritur me më shumë se 1000%, ndërsa Gates pati një rritje më modeste me 30%.

Vendimi i Oxfam për të matur rritjen e pasurive që nga fillimi i pandemisë, kur çmimet globale të aksioneve ranë, gjithashtu anon pak gjetjet.

Pasuria e më të pasurve në botë zakonisht është e lidhur në zotërimet e tyre të aksioneve, të cilat ranë ndjeshëm në mars 2020, që do të thotë se rritja e mëvonshme ishte nga kjo bazë më e ulët. Nëse Oxfam do të kishte matur pak para fillimit të pandemisë, rritja do të kishte qenë më pak e theksuar.